Aktualitet
Shoqërohej me Doklen, ja kush është Fatjon Murati
Personi në foto është Fatjon Murati, i cili u arrestua mbrëmjen e djeshme nga policia e Tiranës. Ai rezultonte i shpallur në kërkim policor, ndërsa në makinë lëvizte bashkë me Endrit Doklen.
Dokle u ndalua pasi po lëvizte në mjet me Fatjon Muratin, i cili ishte në kërkim nga policia për armëmbajtje pa leje, teksa Gentjan Reçi ishte shofer. Fatjon Murati është i vetmi që është mbajtur në qeli për veprën penale për të cilën kërkohej, armëmbajtje pa leje.
Kush është Fatjon Murati?
Murati ishte i shpallur në kërkim nga policia, pasi emri i tij doli në masakrën me tre të vrarë në Fushë-Krujë. Murati ka qenë një nga personazhet që është kërkuar nga Prokuroria e Kurbinit për t’u marrë në pyetje.
Prokuroria e Krujës kërkoi marrjen në pyetje të disa personave në lidhje me atentatin e ndodhur në zonën e njohur si mbikalimi i Fushë Krujës, ku mbetën të vrarë tre të rinjtë Brilant Martinaj, Besmir Hoxha dhe Dikler Vata. Mes emrave që kërkon organi i akuzës të pyeten ishin Gentian Reçi, djali i ish-policit të vrarë Xhelal Reçi, numri dy i bandës së Durrësit Endrit Dokle, në lidhje krushqie me ish-policin e vrarë, dhe nipi i deputetit socialist Rrahman Rraja, Ramazan Rraja.
Masakra e Fushë Krujës ndodhi më 17 korrik. Mbetën të vrarë Besmir Hoxha, Brilant Martinaj dhe Dikler Vata. Disa persona kanë ekzekutuar në mënyrë makabre 3 të rinjtë duke djegur edhe makinën ku ata po udhëtonin. Edhe pse ka një listë me të dyshuar, sërish nuk ka asnjë të arrestuar për ngjarjen në fjalë.