Aktualitet
Fotografimi dhe publikimi i votës/ Celibashi i ashpër: Përbën vepër penale

Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi ka deklaruar këtë të premte se publikimi i fletës së votimit përbën vepër penale.
Ai e ka deklaruar këtë gjatë një vizite në mjediset e Qendrës së Votimit nga Jashtë pranë Parkut Olimpik në Tiranë, ku ndodhej së bashku me kreun e misionit të OSBE/ODHIR, Lamberto Zannier.
“Ata janë duke kryer një vepër penale në gjykimin tim, por është atribut i institucioneve të tjera për ta vlerësuar nëse veprimet e tyre përbëjnë apo jo vetëm penale. Në gjykimin dhe vlerësimin tim janë duke kryer një vepër penale. Tej interesit të partive politike, entuziazmit që kanë për të treguar se për kë votojnë është e dënueshme nga Kodi Penal deklarimi i votës”, ka shtuar ai.
Celibashi po ashtu u ka drejtuar thirrje partive politike për vetëpërmbajtje sa i përket rezultatit të votimit.
“Ka zero shans, përfshirë edhe KQZ të ketë dijeni për përmbajtjen e fletës së votimit në dokumentacionin zgjedhor që vjen. Do ishte mire që politikanët të evitonin deklarata që lidhen me rezultatin e votimit, janë komplet pa sens. Përkundrazi mund të kontribuojnë negativisht në mbarëvajtjen dhe integritetin e procesit”, ka shtuar ai.

