Connect with us

Kosova

Franca BLLOKON Vuçiçin, ndalohet shitja e avionëve Rafale

Pak ditë pasi presidenti serb, Aleksandër Vuçiç foli për një marrëveshje ndërmjet Serbisë dhe Francës për blerjen e 12 avionëve luftarakë francezë, Rafale, vjen lajmi se kjo çështje do të kushtëzohet nga Parisi.

Sipas agjencisë franceze AFP, prodhuesi francez i këtyre avionëve aktualisht po refuzon të diskutojë për një shitje të mundshme të avionëve në Serbi dhe Franca synon të marrë konfirmime mbi zhvillimet politike në Serbi përpara se të vulosë blerjen.

shkrim thuhet se Serbia po rrit blerjen e armëve, qofshin ato europiane, kineze apo ruse dhe se në dhjetë vjet, buxheti ushtarak serb është trefishuar. Nga viti 2012 deri në vitin 2023, buxheti ushtarak serb u trefishua, duke arritur në 1.4 miliardë euro. Më shumë se buxhetet e kombinuara të pesë vendeve të tjera të Ballkanit, shkruan mediumi francez. Midis 2014 dhe 2023, Serbia shpenzoi 2.67 miliardë euro për blerjet e armëve – veçanërisht për të blerë sistemin kinez kundërajror FK-3, helikopterët rusë Mi-17 dhe Mi-35, si dhe sistemin rus të mbrojtjes ajrore, Pantsir.

Afërsia e kreut të shtetit serb me homologun e tij rus Vladimir Putin përbën problem për Parisin. Ndërsa Serbia e ka dënuar agresionin rus në Ukrainë, ajo nuk është rreshtuar me sanksionet perëndimore.

Në fund të marsit, ministri i Jashtëm serb, Ivica Daçiç, vizitoi Moskën, një mundësi kjo sipas diplomacisë serbe për t’i përmirësuar “lidhjet tradicionalisht miqësore midis Serbisë dhe Rusisë”.

Mbi të gjitha, blerjet nga Rusia dhe Kina nuk kanë të ndalur që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022. Në shkurt, presidenti serb prezantoi me krenari blerjet e tij të fundit: një sistem anti-drone, si dhe dronët kinezë.

Ai gjithashtu premtoi se do të vinte në prodhim dronë sulmues deri në fund të vitit 2024.

“Republika e Serbisë blen armë dhe pajisje ushtarake nga Lindja dhe Perëndimi”, shpjegoi Ministria serbe e Mbrojtjes në mars në përgjigje të një pyetjeje nga AFP-së për blerjet e saj nga Rusia dhe Kina, “duke zgjedhur ato karakteristikat e të cilëve do të të përmirësojnë aftësitë e forcave të armatosura serbe”.

Franca prej disa kohësh është angazhuar për ta intensifikuar bashkëpunimin e saj në fushën e mbrojtjes me Serbinë. Një marrëveshje dypalëshe ekziston që nga viti 2011.

“Do të ishte qesharake që Parisi, nga njëra anë, të përmendte dërgimin e trupave në Ukrainë, dhe nga ana tjetër t’i shesë një armë jashtëzakonisht të sofistikuar një prej aleatëve më të afërt të Rusisë” – tha Jasmin Mujanoviq, studiues i shkencave politike duke shtuar se shitja e avionëve Rafale këtij aleati të Moskës “do të ishte shqetësuese sepse do të lejonte rrjedhjen e informacionit në Kinë dhe Rusi”

Sipas letrës së bardhë të Mbrojtjes së Serbisë, botuar në vitin 2023, “sfida më e madhe e sigurisë” për Beogradin është në anën tjetër te kufiri me Kosovën. Ndër kushtet e kërkuara, presidenti francez përmendi edhe nevojën për zbutjen e tensioneve në marrëdhëniet me Kosovën.

Megjithatë, nëse shitja e Rafale ndodh, “Këta avionë mund të përdoren edhe kundër vendeve fqinje me Serbinë”, paralajmëroi Jasmin Mujanoviq. Avioni, i cili hyri në shërbim luftarak në vitin 2004 dhe synohet të fluturojë deri në vitet 2060, është flamuri i eksporteve të industrisë franceze të mbrojtjes.

Shtatë vende kanë avionë Rafale ose kanë lidhur marrëveshje tregtare për t’i blerë ato: Egjipti, Katari, India, Greqia, Indonezia, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Kroacia.

Advertisement