Connect with us

Shkrime

“Frika” nga Trump, a do ketë një përmbysje të madhe

Nga Fitim Zekthi

Kur në vitin 1787, Benjamin Franklin doli nga Konventa e Filadelfias, në të cilin themeluesit e SHBA-së po vendosnin se çfarë kushtetute të kishte vendi i tyre, një grua e vjetër e pyeti atë se për çfarë vendosën, Ai, iu përgjigj: “një republikë, nëse do të mund ta ruani atë”.

ShBA është themeluar si një republikë me një ndarje shumë të fortë të pushteteve.  Që nga ajo kohë SHBA është përballur me vështirësi apo me sfida nga më të ashprat, ajo ka kaluar një luftë civile të tmerrshme  (në vitet 1861-1865), ka kaluar depresionin e madh, ka kaluar kriza politike të ndryshme, por republika përgjithësisht ka mbijetuar. Ndarja e pushteteve dhe garantimi i lirive përgjithësisht kanë qenë të forta.

Pak ditë më pas në SHBA do të marrë detyrën një president i ri, Donald Trump dhe debatet, frikërat, shqetësimet janë shumë të mëdha. Janë shumë të mëdha sepse SHBA-ja është në një krizë politike (të paktën politike) por janë shumë të mëdha edhe sepse presidenti i ri është atipik dhe flet pa ndalur se do të zhbëjë “shtetin administrativ”, do të përzërë emigrantët pa dokumente, do të lerë “Izraelin  të bëjë punën e tij”,  ka kërcënuar vendet e NATO-s që nqs nuk rrisin kontributin financiar do ti lerë ti sulmojë Rusia etj.

Shqetësimet janë të mëdha sepse presidenti Trump ka caktuar për sekretar të Pentagonit dikë, i cili ka shkruar në një libër të tijin ( Kryqëzata jonë) se “Perëndimi duhet të bëjë atë që bëri  Europa (Papa dhe Kisha Katolike thotë ai) në shekullin e 12-të, duhet të shpallë kryqëzatë kundër islamit. Islami është sipas rreziku me I madh I SHBA-se dhe perëndimit.  Presidenti Trump ka caktuar për drejtor të “Shërbimeve Amerikane të Inteligjencës” Tulsi Gabard dikë që ka folur gjithnjë me simpati për Rusinë, ka takuar në Damask në mënyrë demonstrative duke e lavdëruar atë, Bashar Al Asadin etj. Edhe emërime të tjera të presidentit Trump janë të tilla që përdorin një gjuhë të ashpër, konspiracioniste, kundër emigrantëve, kundër të huajve, etj.

Një president me një gjuhë të tillë, me sjellje të tillë, me qëndrime të tilla kundër institucioneve të SHBA-së, kundër prokurorisë dhe gjykatave,  SHBA nuk e ka njohur që nga koha e presidentit Andrew Jackson gati 200 vjet me pare.

Shumë njerëz të botës së universiteteve, studiues, gazetarë, mendimtarë ka shumë kohë që thonë se republika për të cilën foli Benjamin Franklin është shumë në rrezik.

Ndryshime të tilla të mëdha në SHBA, në politikën e SHBA0-së në botë dhe Europë do të kenë pa dyshim ndikime të pazakonta edhe tek ne aq më tepër që siguria dhe perspektiva jonë është e lidhur ngushtë nga një Amerikë e fortë dhe nga republikë amerikane e vlerave të saj themeluese. Në këtë kuptim edhe për ne ka një rëndësi shumë të madhe, jetike, ajo që ndodh në SHBA.

Sigurisht që ky është një momenti në të cilin sistemi politik amerikan do të vihet në test, sigurisht se përgjigja “një republikë nqs do ta ruani” do të vihet në provë.

Harry Jaffa thotë se SHBA është themeluar nga parimi “njerëzit janë krijuar të barabartë”.  Leo Strauss, John Marini, Charls Kesler, Michael Anton,  etj etj kanë shkruar gjerësisht mbi faktin që SHBA është themeluar nga ky parim. Për ta republika për të cilën ka folur Franklin, ka në qendër faktin që “njerëzit janë krijuar të barabartë”. Kjo do të thotë se në zemër të republikës qëndron e drejta natyrore e njerëzve për të mos u qeverisur nga një sundim arbitrar dhe e drejta e tyre për tu qeverisur nga një qeveri e miratuar nga të qeverisurit. Një qeveri  me miratimin e të qeverisurve nuk është për ta një qëllim në vetvete. Qëllim është që qeveria të sigurojë të drejtat natyrore dhe të “nxisë, mundësojë, shkaktojë”  të mirën e përbashkët. Qëllimi është të “shkaktojë” “Siguri dhe Lumturi”.

Gjatë rrugës herë pas here këto parime themeluese nuk janë kuptuar kështu dhe SHBA ka patur kriza thotë Nathan Pinkoski. I tillë është rasti i presidentit Jackson që gati u kthye në tiran, që përzuri me dhunë dhe shkaktoi gjenocid ndaj Cherokee-ve, i tillë është rasti i luftës civile etj. Për shembull Jefferson Douglas, një politikan shumë i fuqishëm bashkëkohor i Lincolnit mbronte idenë që “një qeveri me miratimin e të qeverisurve” është qëllim në vetvete. Gjykata Supreme e SHBA dhe kryetari i saj Roger Tauney po në kohën e Lincolnit e quajti skllavërinë kushtetuese dhe tha se parimi që “njerëzit janë krijuar të barabartë” nuk nënkupton  mospasje të skllavërisë. Ky lloj kuptimi pak a shumë çoi në luftë.

Në fillim të shekullit të kaluar në SHBA nisi të marrë fuqi një lloj tjetër kuptimi mbi kushtetutën. Progresistët nuk mendonin se legjitimiteti I qeverisjes buron nga “e drejta natyrore e njerëzve për të mos u qeverisur nga një qeveri arbitrare dhe e drejta për ta zgjedhur ata vetë qeverinë të cilat së bashku vinin nga parimi “njerëzit janë krijuar të barabartë”.  Progresistët mendonin se legjitimiteti I klasës qeverisëse buron nga ekspertiza, nga dija dhe nga aftësia që ka për të qeverisur. Një teknokraci e të diturve apo ekspertëve tejkalon demokracinë e te gjallëve dhe të vdekurve sipas tyre thotë Michael Anton. Pra u shfaq ideja e shtetit administrativ, i cili ka këtë dije dhe këtë aftësi.

Pa u zgjatur shumë,  kushtetutës së Etërve Themelues, kushtetutës së themeluar nga parimi “njerëzit janë krijuar të barabartë” iu vu si mbulojë një kushtetutë e re të cilën Christopher Caldwell e quan “kushtetuta e dytë”.  Sipas tij SHBA ka dy kushtetuta, ajo e para e themelimit dhe e dyta ajo e progresisteve.

Progresistët arritën ta forcojë shtetin administrativ, ta bëjnë atë të fuqishëm. Ata dëshironin dhe ia arritën që të zbehnin, dobësonin frymën dhe shpirtin e kushtetutës së parë por e lanë në këmbë germën e saj thotë Nathan Pinlkoski. Në vitet 60-të shekullit të 20-të u shfaq diçka tjetër. U shfaq lufta e plotë ndaj kushtetueses së parë, lufta për ta asgjësuar plotësisht.

Në protestat e luftës në Vietnam, Norman Thomas  një figurë shumë e fortë progresiste I thotë Richard Neuhas-it një figurë shumë e fortë konservatore  qe “këta nuk e dinë që “progresistët duan ta pastrojnë dhe jo ta djegin flamurin amerikan”. Në protesta po digjej flamuri amerikan.

Pra shteti administrativ mori përmasa të mëdha dhe lëvizja majtiste tani kërkonte rrëzimin fare të kushtetutës së parë. Pavarësisht kësaj kushtetuta e parë u mbajt fort, ajo jetoi fort me Fordin, Reagan-in, Bush-in. Klintonin dhe me mijëra politikanë, gjyqtare e mendimtarë për dekada.

Dy dekadat e fundit kanë njohur një forcim të shtetit administrativ dhe të lëvizjes që i ka rrënjët në vitet 60-të. Forcimi I këtij shteti dhe krizat e ndryshme ekonomike e sociale bënë që zërat kundër shtetit administrativ të forcohen shume.

Këtu vjen Donald Trump. Këtu vjen përpjekja e tij populiste për të ç’rrënjosur këtë shtet dhe frika se ai mund të thërrmojë “republikën”.

E para  është se Donald Trump nuk ka treguar që e kupton  SHBA dhe kushtetutën e saj të themeluar mbi parimin “njerëzit janë krijuar të barabartë”. Pra, ai nuk i kundërvihet asfare shtetit administrativ nga këndi i traditës konservatore dhe Etërve Themelues.

Donald Trump nuk ka treguar as në mandatin e parë dhe as në emërimet dhe sjelljen e deritanishme, se ai e kupton kushtetutën e SHBA-së si diçka në zemër të të cilës është një qeverisje kundër arbitraritetit dhe kundër sjelljes arrogante të qeveritarëve. Donald Trump si edhe progresistët apo si edhe majtistët i kushton një rëndësi shumë të madhe asaj që di ai, asaj që di qeveria, asaj që vendos qeveria e tij, vullnetit të tij (dhe vetëm të tij në fakt). Donald Trump e konsideron veten si dikush që do të shpëtojë SHBA-në dhe popullin, e konsideron qeverinë e tij si diçka që do të shpëtojë SHBA-në dhe popullin në një kohë që pikërisht këtë mendon edhe progresivizmi, në një kohë që kushtetuta e parë thotë krejt të kundërtën, thotë që populli në një fare mënyre është i “shpëtuar vetvetiu” mjafton që qeveria t’u garantojë liritë natyrore dhe të mendojë se të gjithë njerëzit janë “krijuar të barabartë”, (nga Zoti) .

Donald Trump ka pak a shumë një kushtetutë të dytë kundër kushtetutës së parë vetëm se kushtetuta e tij e dytë shprehet se është një kushtetutë konservatore kundër asaj progresiste. Pra, Donald Trump kërkon të zhbëjë shtetin administrativ duke përdorur metodën dhe filozofinë që e ngriti atë. Pra Trump shkakton frikë siç kanë shkaktuar frikë të gjitha lëvizjet apo pushtetet që duan të rrëzojnë kushtetutën e parë, atë themeluesen e SHBA-së. Nuk ka asnjë ndryshim.

SHBA-ja, republika e Franklin-it, ka dëshmuar në histori që mund të mbijetojë ndaj tendencave për të prishur atë dhe për shkatërruar kuptimin  që buron nga kushtetuta për “njerëzit janë krijuar të barabartë”.

Ndonëse presidenti Trump kontrollon të dyja dhomat e kongresit është e sigurt që në dhomën e ulët dhe sidomos në senat ai do të përballet me republikanë që mbrojnë kushtetutën  e parë. Ishin pikërisht këta republikanë  që çuan në dorëheqje të kandidatit për sekretar të drejtësisë, Mathew Garetz. Ishin po këta republikanë që nuk zgjodhën për kryetar të grupit të tyre në senat Rick Scot një mbështetës i Trump. Ishin po senatoret republikanë që zgjodhën për kryetar të tyrin John Thune, një senator konservator i provuar në mbrojtje të kushtetutës. Donal Trump nuk donte Thune në asnjë mënyrë në krye të grupit të senatit. Gjykata Supreme dhe gjykatat  në tërësi do të vijojnë të ruajnë pavarësinë e tyre, senati do të vijojë fuqinë bllokuese të filibuster-it.

Kur është ideuar “republika”, Etërit Themelues kanë patur një makth thotë James Maddison. Ata kanë qenë të trembur se mos një ditë populli bie në një sundim arbitrar apo tiranik dhe kësisoj dhoma e ulët, senati, gjykatat etj janë ideuar që të bllokojnë këtë gjë.

Pak vite më parë demokratët dhe presidenti Biden kishin kontroll në senat dhe dhomën e ulët. Ata donin të shtonin numrin e anëtarëve të Gjykatës Supreme, donin ta bënin Distriktin e Washingatonit me dy senatorë ( ai nuk ka asnjë) në mënyrë që përgjithnjë ta kishin në kontroll ata senatin. Nuk e bënë dot sepse dy senatorë demokratë,  Manchin dhe Sinema ishin kundër. Sigurisht që duhej edhe ndërhyrje në kushtetutë për dy senatorët e rinj dhe kushtetuta kërkon miratimin e të dyja dhomave dy të tretat dhe miratimin nga tre të katërtat e shteteve. Mekanizmat mbrojtës janë shumë të mëdhenj. Brenda republikanëve ka senatorë që janë të njohur si mbrojtës të zellshëm të kushtetutës së parë, si Paul, Hawely, Mc Conell, ka senatore që votojnë lehtë kundër Trump si Murkovski, Ernst, Collins etj.

Pra ndryshimi radikal dhe zhbërja e “republikës” nga ky mandat presidencial nuk është i mundur me gjithë rreziqet e mëdha. Kësisoj linjat e gjera politike do të jenë ato që republika e SHBA-së ka ndjekur në tërësi ndaj Europës, NATO-s, Rusisë, Kinës, Kosovës, etj gjatë dekadave apo kohëve të fundit.

Advertisement