Bota
Frikë nga dronët ukrainas? Putin shemb vilën e pushimeve në Soçi
Vladimir Putin ka shkatërruar vilën e tij të pushimeve pranë Detit të Zi, pasi ndaloi së vizituari zonën nga frika për jetën e tij, pas sulmeve nga Ukraina, ka pohuar një faqe interneti e opozitës ruse.
Vila ndodhet pranë Soçit, që është kthyer në një vend që sulmohet rregullisht me dronë ukrainas – diçka që Putin “i frikësohet”, sipas Proekt
Faqja e pavarur e lajmeve publikoi imazhe satelitore, njëra që tregonte vilën në maj 2023 dhe një tjetër nga maji 2024, pasi vila u rrafshua. Proekt tha se “vendi i vilës tani është një gropë”.
Putini e vizitoi për herë të fundit vilën e tij në Soçi shtatë muaj më parë, tha një burim “i njohur me Putinin” për faqen e internetit – e cila drejtohet nga gazetarë rusë që jetojnë në mërgim.
“Ai madje theu një traditë të gjatë të ardhjes në Soçi për të festuar ditëlindjen e Alinës në maj”, shtoi burimi, duke iu referuar Alina Kabaeva, e dashura sekrete e Putinit me të cilën ai ka dy fëmijë.
Zyrtarët e Kremlinit u befasuan që nuk ishin më të ftuar në shtëpinë e Putinit, të quajtur Bocharov Ruchey. Një burim për Proekt, i përshkruar si një “mik i Putinit”, i tha faqes se zyrtarët e Kremlinit “e diskutuan mes tyre dhe janë të befasuar që nuk janë ftuar më në takime në Soçi”.
Imazhi satelitor nga maji 2023 tregon një shtëpi të madhe me çati të kuqe, e vendosur në një pronë të madhe me një numër ndërtesash. Fotografia e majit 2024 tregon një masë ngjyrë bezhë, me rërë ku dikur qëndronte shtëpia, që duket të jetë një vend rrënimi.
Sipas raporteve, të dhënat e Kremlinit tregojnë se Putin qëndronte deri në 37 ditë në vit në Soçi.
Por me dronët ukrainas duke rritur intensitetin e sulmeve të tyre në Soçi gjatë vitit të kaluar, Putini duket se ka hequr dorë nga ajo që besohej të ishte një nga shtëpitë e tij të preferuara të pushimit.
Putin e ka vizituar Bocharov Ruchey vetëm një herë këtë vit, kur ai priti Rafael Gossi – kreun e Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike të OKB-së – në mars.
Bocharov Ruchey fillimisht u ndërtua nga Bashkimi Sovjetik si një rezidencë verore për udhëheqësit e tij. Putin thuhet se e rinovoi atë me akomodim luksoz dhe dhoma takimi të kompletuara, për t’u përdorur si me familjen ashtu edhe me mysafirët.
Ai kishte një kopje të zyrës së tij në Moskë të ndërtuar në vilën e Soçit, kështu që ai mund të jepte përshtypjen se ishte në kryeqytetin rus kur të ishte me pushime. Që nga pushtimi i Ukrainës në vitin 2022, Putini ka reduktuar angazhimet e tij të udhëtimit nga frika se mos vritet.
Sipas Proekt, Putin u izolua në vilë gjatë pandemisë Covid-19, duke shijuar klimën më të butë se sa më në veri.
Putini ka shumë shtëpi, duke përfshirë një shtëpi pushimi në rajonin e Karelia dhe rezidencën e tij zyrtare në Moskë.