Connect with us

Kosova

Fryen erë lufte në Ballkan/ Spiunët në aksion, Rusia përgatit terrenin

Në një deklarim për media, Maria Zakharova, drejtore e departamentit të Informacionit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, ka deklaruar se Rusia qëndron kundër armatosjes së Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke iu referuar kantratës së fundit të blerjes së “Javelin”-ëve, sistemit të armëve anti-tank.

Në gjuhën propaganduese të Moskës, Zakharova tha se armatosja e Kosovës nga SHBA-të përveçse tregon “dyfytyrësinë amerikane”, është edhe armatosje në “shërbim të qëllimeve nacionaliste të Kosovës”.

“Krijimi i strukturave paralele të sigurisë, të cilat Prishtina dhe padronët e saj, përfshirë Shtetet e Bashkuara, e quajnë ‘ushtri’, synon t’i shërbejë ambicieve nacionaliste të autoriteteve të Kosovës, që vazhdojnë të përshkallëzojnë tensionet në përballje me Beogradin me shpresën se perëndimorët do t’i detyrojnë serbët të sakrifikojnë interesat e tyre jetike”- ka deklaruar zëdhënësja e presidentit rus, Vladimir Putin.

Zakharova tha që Kosova po armatoset pasi që “ka vendosur si detyrë prioritare dëbimin e popullatës serbefolëse nga rajoni dhe lirimin e tyre nga nevoja për të përmbushur detyrimet që kanë të bëjnë me sigurimin e të drejtave të tyre, duke përfshirë krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.

“Për ta arritur këtë, shqiptarët e Kosovës do përdorin të gjitha metodat. Tani ata duan të furnizojnë radikalët e Kosovës me armë serioze, të cilat, sipas Shteteve të Bashkuara, duhet të ndihmojnë në forcimin e të ashtuquajturës ‘pavarësi’ e tyre. Ne dënojmë fuqishëm çdo përpjekje për të armatosur keto struktura” – vazhdon deklarimi propagandues i Zakharova-s.

Rusia në vazhdimësi e ka përdorur Serbinë si shtet satelit për të krijuar trazira në Ballkanin Perëndimor, territor që e do si vatër të re të konfliktit për të shpërqendruar vëmendjen nga pushtimi në Ukrainë. Rusia gjithashtu furnizon vazhdimisht Serbinë me armatim, teksa në Serbi, ka qendra të mëdha spiunazhi të Rusisë.

Përveç në Serbi, Rusia ka ndikim dekstruktiv edhe në Bosnje dhe Hercegovinë, ku kontrollon së paku Republikën Serbe atje, përmes Milorad Dodik. Një pjesë të konsiderueshme të kontrollit, ajo e ka edhe në Mal të Zi, ku para disa vjetësh, Rusia provoi të organizojë edhe një puç dhe te rrëzojë pushtetin me mjete jo demokratike.

Advertisement