Kronike
Fshehu vetëvrasjen e gruas në Kamëz, zbardhet dëshmia
56-vjeçari Shefqet Lika, i arrestuar dje në Kamëz, pas fshehjes së vetëvrasjes së bashkëshortes së tij Shahe Lika në banesën e tyre ka thënë para policisë se ka pasur frikë të raportoj për vetëvrasjen e bashkëshortes pasi sipas tij nuk do ta besonin familjarët e saj.
Lika tha se prej kohësh ata e kanë akuzuar për dhunën që ushtronte nga gruas dhe se familjarët e saj herë pas here e kishin paralajmëruar se do ta denonconin. Por, situata i doli nga kontrolli 56-vjeçarit pasi familjarët e gruas tashmë të vetëvarur patën dyshime dhe kërkuan ekspertizë të trupit të pajetë. Pas ekspertizës rezultoi se 55-vjeçarja ishte vetëvarur. Shefqet Lika akuzohet për dy vepra penale, shkaktim të vetëvrasjes dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.
Burime nga policia bëjnë me dije se çifti ka pasur konflikte të shumta prej shumë vitesh, ndërsa bashkëshorti ka ushtruar dhunë sistematike ndaj saj. Në javët e fundit mësohet se ajo ishte larguar nga banesa dhe kishte jetuar tek e motra. Në banesën e burrit ishte kthyer një ditë para se të merrte vendimin për t’u vetëflijuar. Për shkak të dhunës dhe konflikteve dyshohet se gruaja shkoi drejt vetëvarjes, Shefqet Lika ka qenë i alkoolizuar prej vitesh.
Fëmijët e tyre jetojnë jashtë vendit, ndërsa raportohet se pas mbërritjes të hënën kanë pasur debat me familjarët e babait. Trupi i pajetë i gruas 55-vjeçare është përcjell për në banesën e fundit vetëm nga familjarët e saj, ndërsa nga banesa e të atit janë larguar edhe fëmijët.