Sport
FSHF publikon rregullat para ndeshjes Shqipëri-Serbi

Sot zhvillohet ndeshja e shumëpritur mes Shqipërisë dhe Serbisë, e vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2026, dhe në prag të këtij dueli, FSHF ka bërë publike disa rregulla që tifozët duhet të kenë parasysh.
Sipas njoftimit, çdo person që hyn në stadium duhet të jetë i pajisur me një mjet identifikimi, ndërsa të gjithë do t’i nënshtrohen kontrolleve fizike nga stjuardët. Ndalohet rreptësisht kalimi i barrierave dhe çdo tentativë për të shmangur pikat e kontrollit.
Gjithashtu, FSHF rikujton se mbajtja e armëve të zjarrit apo të ftohta, parrullat me përmbajtje urrejtjeje, biletat false, si dhe futja në fushë, konsiderohen vepra penale dhe do të ndiqen penalisht.
Një tjetër pikë e rëndësishme është se gjatë gjithë kohës, tifozët do të jenë nën vëzhgim nga kamerat e sigurisë, çka do të thotë se çdo veprim i papërshtatshëm do të identifikohet menjëherë.
FSHF u bën thirrje të gjithë tifozëve që të respektojnë rregullat dhe të kontribuojnë për një atmosferë të qetë dhe sportive.

