Connect with us

Kosova

Ftesë për vals në ballo/ Vuçiç: Serbisë i morën 14% të territorit, veriu i Kosovës, i pushtuar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka shfrytëzuar një tjetër paraqitje publike për të sulmuar bashkësinë ndërkombëtare dhe për të përsëritur narrativat e njohura nacionaliste mbi Kosovën dhe rajonin.

Në një fjalim të mbajtur së fundmi, ai u ankua për siç tha, “padrejtësitë historike ndaj Serbisë”, duke përmendur ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999 “pa vendim të OKB-së” dhe duke theksuar se “Serbisë i morën 14% të territorit”.

Duke përmendur operacionin kroat “Stuhia”, Vuçiç kaloi te Kosova, ku sërish përdori një gjuhë të ashpër, duke e quajtur veriun e Kosovës “të pushtuar” dhe qeverisjen atje si “okupatore”.

Më tej, ai sulmoi hapur serbët që punojnë në institucionet e Kosovës në veri, duke i quajtur “shërbëtorë” dhe duke pretenduar se kanë braktisur “besimin, popullin dhe shtetin e tyre për një ftesë në ballo”.

“Shumica e serbeve ne Kosove nuk do jenë shërbëtorë. Ata e duan lirinë” –  tha Vuçiç, duke shtuar se zgjedhjet e fundit në veri me pjesëmarrje të ulët ishin të papranueshme për Beogradin.

Ndërkohë që ai po përballet me kritika të brendshme për korrupsion, shtypje të lirive dhe autoritarizëm në rritje, Vuçiç po përpiqet të ruajë mbështetjen publike përmes deklaratave nacionaliste dhe retorikës për “aspiratat historike dhe fetare ndaj Kosovës”.

Advertisement