Connect with us

Shkrime

Gabimi i rëndë i Perëndimit me Albin Kurtin

Profesori në universitetin amerikan Johns Hopkins dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, Daniel Serwer, e sheh si të padrejtë kushtëzimin e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës me krijimin e Asociacionit.

Duke kritikuar atë që e sheh si diplomaci të keqe, nga SHBA dhe BE, ai mbështet qëndrimin e kryeministrit Albin Kurti dhe thotë se Asociacioni duhet të krijohet vetëm pasi Serbia të njohë pavarësinë e Kosovës.

Serwer u shpreh se “Kosova duhet të jetë gati për një përshkallëzim të ri të situatës me Serbinë, dhe i bëri thirrje SHBA që përveç raketave të dërgojë në veri edhe dronë”.

Duke folur për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, Serwer ka përmendur edhe Asociacionin si kusht që i është vënë Kosovës nga Franca dhe Gjermania për futjen në agjendën e Këshillit të Ministrave, duke thënë se kjo është e padrejtë.

“Nuk është e drejtë. Mendoj se Asociacioni i komunave me shumicë serbe është diçka për të cilën është rënë dakord në vitin 2013 në këmbim të gjërave që Serbia duhej të bënte, duke përfshirë pjesëmarrjen e plotë të serbëve në institucionet qeverisëse, shtrirja e autoriteti ligjor kushtetues të Prishtinës në veri të Kosovës dhe një sërë gjërash që Serbia nuk i ka bërë. Pra, të kërkohet nga Kosova që të përmbushë detyrimet e Marrëveshjes së vitit 2013 pa marrë asgjë nga në këmbim, është një gabim i rëndë dhe diplomaci e keqe”- ka thënë analisti amerikan duke potencuar gjithashtu se po minohet definitivisht edhe besueshmëria tek bashkësia ndërkombëtare.

“Njerëzit në Kosovë dhe në vende të tjera po kuptojnë se bashkësia

ndërkombëtare nuk i përbush angazhimet e veta, diçka që kufizon levën e saj të ndikimit. Mendoj se është koha të kuptohet se Këshilli i Evropës është një hap i nevojshëm për Kosovën që do të përmirësonte kushtet për serbët në veri.

Prishtina ka bërë gjithçka që i është kërkuar, përfshirë zbatimin e marrëveshjes për pronën e Manastirit të Deçanit”- theksoi Serwer duke shtuar se i jep të drejtë kryeministrit Albin Kurti që nuk pranon krijimin e Asociacionit si kusht për anëtarësim në KiE, me argumentin se nuk ka asnjë lidhje mes dy gjërave.

“Kurti ka absolutisht të drejtë se ky nuk është një kusht i duhur për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Por unë do të shkoja edhe më tej. Unë do të thosha se Asociacioni është diçka që duhet të arrihet vetëm kur Serbia të jetë e përgatitur të njohë plotësisht sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës. E dini, evropianët tregojnë për shoqatat e shumta që tashmë ekzistojnë brenda BE-së, të cilat janë të krahasueshme me asociacionin e komunave me shumice serbe. Por, të gjitha ato shoqata ekzistojnë në vendet që e njohin njëri-tjetrin. Është shumë e qartë se çfarë po përpiqet të arrijë Beogradi me Asociacionin. Ata e thanë qartë, publikisht, se po përpiqen të mundësojnë një qeverisje të veçantë të popullatës serbe, të paktën në veri. Dhe ky është një objektiv që duhet të refuzohet nga komuniteti ndërkombëtar” – theksoi Serwer dhe sipas tij, Perëndimi po përpiqet të zbusë Serbinë dhe të vendosë kushte strikte ndaj Kosovës………

Ai ka folur edhe lidhur me armatimin e Serbisë rrezikun e përshkallëzimit të situatës në Kosovës, duke thënë se “ekziston rreziku i përshkallëzimit dhe mendoj se është e rëndësishme që Kosova të përgatitet për këtë”.

“Një nga gjërat e mira që kanë bërë amerikanët është autorizimi i shitjes së raketave antitank Javelin në Kosovë. Do të doja të shihja që edhe disa dronë të shkojnë në Kosovë. Unë mendoj se Forcat e Sigurisë së Kosovës kanë nevojë për pajisjet, trajnimin, organizimin e nevojshëm për të penguar çdo përpjekje të Serbisë për të pushtuar territorin, veçanërisht në veri”, tha analisti amerikan Daniel Serwer.

 

 

Advertisement