Connect with us

Aktualitet

Gal Hirsch, kush është njeriu që do të duhet të rimarrë pengjet izraelite

Sqepi i mjellmës së zezë është kthyer kundër Gal Hirsch-it. I konsideruar si një nga gjeneralët më novatorë dhe më të diskutueshëm kur ishte me uniformë, nëntë vjet më parë ai shkroi një ese mbi teorinë ushtarake për revistën e forcave të armatosura dhe kishte zbatuar intuitën e matematikanit Nissim Taleb në taktikat izraelite: “Kur përballej me një armik që vepron në mesin e popullatës civile, ne duhet të zhvillojmë mjellmën tonë të zezë vdekjeprurëse, e cila vepron në dimensionin e katërt, atë të pasigurisë, paligjshmërisë dhe çrregullimit, jashtë modeleve konceptuale të pranuara dhe të parashikueshme”. Ngjarja e papritur, e cila prish gjithçka dhe lë pas kaos, u shpalos të shtunën në agim me pushtimin e Izraelit jugor. Tani Hirsch – i cili pasi u largua nga ushtria kaloi në anën e forcës për përdorim privat për ata që ofrojnë më shumë – do të duhet të përpiqet të zbatojë një koncept tjetër të zhvilluar nga Taleb: antifragjiliteti, sa tronditja dhe stresi mund të na bëjnë më të fortë Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i ka besuar atij detyrën e koordinimit të ekipit që do të merret me “të zhdukurit dhe të rrëmbyerit”, me ata 130 pengje të mbajtura në Gaza – sipas llogarisë së tmerrit të numëruar nga fondamentalistët palestinezë – dhe me ata të cilët nuk janë identifikuar ende (as të gjallë e as të vdekur, ndoshta të rrëmbyer) pas sulmit shkatërrues. Netanyahu e kishte kërkuar Hirsch si shef policie qysh në vitin 2015, por akuza e FBI-së amerikane – edhe pse nuk përfundoi me asgjë – se kishte korruptuar një ministër gjeorgjian për të marrë kontrata për kompaninë e tij të sigurisë, aktakuza për evazion fiskal në Izrael, e kishin hedhur në erë kandidaturën. Një ish oficer i Shaldag – një nga njësitë më speciale në mesin e forcave speciale – atij iu desh të tërhiqej në moshën 42 vjeçare, i destinuar të bëhej shef i shtabit, disa muaj pas përfundimit të luftës së dytë të Libanit midis korrikut dhe gushtit 2006: komandant i divizionit përgjegjës për atë front, ai ishte konsideruar pjesërisht përgjegjës për fiaskon, duke filluar nga vrasja e tre ushtarëve dhe rrëmbimi i dy të tjerëve – ndoshta tashmë të vdekur – në patrullë në kufi. Mbështetësit e zgjuarsisë së tij strategjike, të të menduarit të tij jashtë kutisë, e kanë mbrojtur gjithmonë dhe e kanë konsideruar si një ushtar të sakrifikuar nga politikanët për të mbrojtur veten. Ai tentoi të hynte në politikë me partinë e tij në vitin 2019, dy vite më vonë deklaroi se kishte kancer: “Jam gati ta fitoj edhe këtë betejë”, kishte 12 muaj që ishte në spital për shkak të plagëve të marra në pritë. Në jetën e tij ka hasur në shumë mjellma të zeza, tani duhet të përballet me më të errëtat.

Advertisement