Connect with us

Aktualitet

Gara për drejtorin e ri të Policisë/ Ja emri që Ministri Hoxha i dërgon Ramës

Ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha i ka dërguar si propozim kryeministrit Edi Rama emrin e Ilir Prodës për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Proda aktualisht mban postin e drejtorit të Policisë së Elbasanit, teksa emri i tij pritet të miratohet në mbledhjen e ardhshme të Këshillit të Ministrave.

Nëse miratohet nga Qeveria, ai pritet të zëvendësojë në postin e kryepolicit Muhamet Rrumbullakun, i cili dha dorëheqjen pak kohë më parë. Pas dorëheqjes së Rrumbullakut, Ministria e Brendshme hapi një proces për ta përzgjedhur kreun e ri të Policisë me anë të një komisioni të posaçëm.

Sipas njoftimit të autoriteteve, Komisioni i Posaçëm në fund të procesit i dërgoi ministrit Hoxha emrat e 5 aplikantëve të kualifikuar Altin Mena, Ardian Çipa, Ilir Proda, Neritan Nallbati dhe Skënder Hita.

Ministri i Brendshëm ka përzgjedhur emrin e Ilir Prodës për t’i dërguar Këshillit të Ministrave për postin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Kjo ngre hije dyshime se kemi të bëjmë me një garë të paracaktuar, pasi emri i Ilir Prodës doli në media që në nisje të procesit se do të ishte ai kryepolici i ri, siç dhe po ndodh. Ndërkohë, vetëm pak kohë më parë, oficerët e BKH-së i sekuestruan telefonin Ilir Prodës dhe e morën në pyetje, pasi ishte një prej të dyshuarve për dekonspirimin e operacionit të SPAK kundër grupit të Franc dhe Hajdar Çopjave.

Njoftimi:

Në mbështetje të ligjit Nr. 82/2024 “Për Policinë e Shtetit”, si dhe Udhëzimit të Ministrit të Brendshëm Nr. 160, datë 2.9.2024 “Për përcaktimin e rregullave dhe procedurave për përzgjedhjen e kandidatit për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit”, Ministria e Brendshme shpalli thirrjen publike për aplikim për pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit.

Komisioni i Posaçëm i ngritur sipas parashikimit të të njëjtit ligj, zhvilloi seanca dëgjimore me qëllim vijimin e procesit të vlerësimit për 11 kandidatët e kualifikuar, sipas kritereve të këtij procesi. Seancat dëgjimore u ndoqën nga misionet partnere pranë Ministrisë së Brendshme dhe Policisë së Shtetit, ICITAP dhe EU4LEA, në rolin e vëzhguesit të procesit.

Komisioni i Posaçëm kreu verifikimin e pastërtisë së figurës për të gjithë kandidatët e kualifikuar, duke kërkuar të dhënat përkatëse nga organet ligjzbatuese si vijon: Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK), Prokuroria e Përgjithshme, Shërbimi Informativ Shtetëror (SHISH), Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit (DPPSH), Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), Agjencia e Informacionit të Sigurisë së Mbrojtjes (AISM).

Në fund të këtij procesi, ditën e premte 27.09.2024, Komisioni i Posaçëm i dorëzoi në bazë të ligjit Ministrit të Brendshëm listën me 5 kandidatët më të vlerësuar, paraqitur si më poshtë sipas rendit alfabetik:

• Z. Altin Mena
• Z. Ardian Çipa
• Z. Ilir Proda
• Z. Neritan Nallbati
• Z. Skënder Hita

Ministri i Brendshëm do t’i përcjellë Këshillit të Ministrave, si kandidat për Drejtor të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, z. Ilir Proda dhe vendimi i Qeverisë për këtë kandidaturë do të merret në mbledhjen e radhës.

Advertisement