Connect with us

Kosova

Gashi: 50 euro në ditë për të qëndruar në barrikada

Ish-zëvendësministri për Komunitete dhe Kthim, Milazim Gashi, ka thënë se grupet e caktuara në Serbi i paguajnë qytetarët serbë nga 50 euro në ditë për të qëndruar pranë barrikadave në veri të Kosovës.

Ai ka deklaruar se janë afro 300 qytetarë serbë që marrin pagë ditore.

“Kemi vërejtur se në veri faktikisht janë duke i paguar me mjete financiare. I paguajnë që të qëndrojnë të barrikaduar nga 50 euro në ditë”, tha ai

Sipas tij, janë grupe të caktuara në Serbi ato që bëjnë një financim të tillë.

“50 euro dita sipas hulumtimit tonë në terren. I paguajnë grupe të caktuara nga Serbia i paguajnë qytetarët. Shihet qartë se është një financim serioz për me mbajt popullin në tension. Lista Serbe nuk e ka pasur përkrahjen e lartë për shkak se 45 për qind e komunitetit serb nuk e ka përkrahur. “Ata i mobilozojnë caqet e caktuara. Atë pjesën intelektuale nuk kanë mundësi që t’i qesin në rrugë”.

“Janë diku rreth 300 persona në të gjitha barrikadat në veri. Punojnë me ndërrime, i ndërrojnë edhe pozicionet e caktuara. Ministria e Brendshme ka dështuar për shkak se nuk ka ditur t’i nuhasë lëvizjet e grupeve të caktuara”, tha ai.

Më 27 dhjetor në veri të Kosovës u ngritën edhe dy barrikada të reja. Disa serbë lokalë kanë nisur ngritjen e barrikadave qysh më 10 dhjetor, pas arrestimit të një ish-polici serb të Kosovës.

Autoritetet në Kosovë kanë thënë se Dejan Pantiq dyshohet se ka organizuar sulmin e 6 dhjetorit ndaj zyrtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve në veri.

Kosova ka thënë se pas barrikadave qëndrojnë “bandat kriminale” që kanë mbështetjen e Serbisë.

Zyrtarët në Serbi kanë mbështetur barrikadat, ndërkaq serbët në Kosovë kanë vendosur kushte për largimin e tyre.

Advertisement