Politike
Gazetari Xhafo tregon çfarë e shqetëson ish-kryeministrin: Nëse Rama bën vizitë në SHBA do të ishte…

Gazetari Endri Xhafo komentoi aktualitetin politik, pak përpara zgjedhjeve të 11 majit.
Duke folur për vizitën e LaCivita në Shqipëri, Xhafo tha se ekziston një alarm tek demokratët. Sipas tij, Rama ka paralajmëruar se do të bëjë vizitë në SHBA dhe se për këtë, po lobon. Për Xhafon, nëse Rama bën vizitë në SHBA, kjo do ishte “game over”.
“Rama ka thënë se do të kalojë Oqeanin dhe nëse Rama shkon në SHBA, do të zhvlerësonte vizitën e LaCivita, do zhvlerësonte pretendimet e demokratëve për ndikimin e Soros. Kjo do të ishte game over. Të gjitha do të zhvlerësoheshin. Të gjithë presin që Sali Berisha të shkojë në Amerikë, qoftë për një takim me emigrantët. Nëse Berisha shkon në SHBA, kjo do ishte rënia e non gratës. Ka alarm mes demokratëve se Rama se nuk po lë gur pa lëvizur për të shkuar në vizitë në SHBA”, tha Xhafo.
Duke folur për votën e diasporës, Xhafo u shpreh se regjistrimi i mbi 231 mijë shqiptarëve jashtë për të votuar në zgjedhjet shqiptare është një shifër tepër e lartë dhe e kënaqshme.
“Celibashi ka pasur pritshmëri diku tek 50 mijë emigrantë për regjistrim dhe një politikan ka thënë 10 mijë. Kjo shifër, 231 mijë është një shifër shumë e lartë. Kur ka pjesëmarrje të madhe në zgjedhje, shpesh ndodh që kjo votë është për diasporën. Por, vota e diasporës është një enigmë e madhe. PS dhe PD kanë punuar mirë edhe për votën e diasporës. Nuk mendoj se 231 mijë njerëz janë regjistruar se janë ftuar vetëm nga partitë politike. Emigrantët shohin lajmet dhe ndjekin aktualitetin e Shqipërisë. Nuk është risi që të vijnë nga Greqia e Italia të votojnë. Nga Greqia kanë ardhur më herët të votojnë me autobusë, organizuar nga partitë politike. Këtë herë nuk do votojnë në Shqipëri, por aty ku jetojnë”, deklaroi ai.
Teksa komentoi koalicionin e madh të PD-së, Xhafo u shpreh se shikon pragmatizëm politik, pasi çamët dhe grekët kanë hyrë në një koalicion. Ai shtoi se beson se Berisha po “shtrydh” çdo votë kundër Ramës.
“E quajnë edhe koalicion çamo-grek. Kjo është hipokrizi e Dules dhe Idrizit. Disa shikojnë hipokrizi dhe disa pragmatizëm. Është shprehja që ka thënë Mustafa Nano, “koalicioni i qelbësirave”. Mund të ketë demokratë që thonë “Ooo, prapë me Metën”. Berisha hyn me idenë që të gjithë duhet të bëhemi kundër Ramës. Unë shoh pragmatizëm të forcave politike. Berisha po tenton të ‘shtrydhë’ çdo votë kundër Ramës. Sali Berisha mund të kishte marrë edhe gjithë faktorin opozitar në vend. Nuk shoh ndonjë qamet të madh në këtë koalicion prej 26 partish që ka bërë Berisha. “Shqipëria madhështore” është thuajse njësoj si “Make Shqipëria great again””, deklaroi ai.
Xhafo vlerësoi procesin e Primareve në Partinë Demokratike, duke thënë se është një proces i guximshëm në realitetin politik shqiptar.
“Myslym Murrizi tha se ka pakënaqësi. Primaret janë vetëm një kriter për kandidatët për deputetë të PD-së. Berishës i duhet jo vetëm figurë e dashur për demokratët, por edhe për elektoratin gri. I mbetet PD në dorë që të vlerësojë disa aspekte të tjera. Kryesia e PD do vlerësojë kriteret subjektive. Ka pasur shumë persona që kanë pasur rezerva për këtë proces. Unë mendoj se mbajtja e primareve është pozitive. Jo patjetër ai që do anëtarësia, e do edhe elektorati gri po themi. Kjo e ndihmon z Berisha për të kuptuar se kë do anëtarësia. Puna e vulës ka marrë fund. Historia e vulës është e mbyllur”, tha ai.
Në fund, Xhafo nënvizoi se Edi Rama nga 2013 kur PS erdhi në pushtet, e ka rinovuar partinë.
“Rama e ka rinovuar partinë, e ka pastruar dhe ka marrë njerëz të rinj. Ka zëra të rinj në Partinë Socialiste. Tek deputeti që duhet të shikojmë produktin”, përmbylli ai.

