Politike
Gazment Bardhi e pranon: Dështuam të largojmë Sali Berishën
Gazment Bardhi, në një intervistë për emisionin “Opinion” pohoi se PD dështoi që të largonte Sali Berishën. Bardhi tha se beteja u nis për ta bërë PD dhe opozitën më të fortë, por rezultoi në dobësimin e të dyjave.
Blendi Fevziu: Duket që ka një problem në politikën shqiptare që njerëzit i shmangen për të mos e thënë të vërtetën. A mund të themi ne sot për të qenë dhe të sinqertë me publikun, ju keni votuar për përjashtimin e Berishës. A mund të themi ne tani që kjo ishte një betejë e brendshme politike ku Berisha doli më i fortë? Do ishte më e ndershme tek publiku. Kjo do ishte, që gjithë publikut t’i thuash, Sali Berishën nisëm ta përjashtojmë me shtysë, nën kërkesën e amerikanëve nuk ka rëndësi. Ky doli më i fortë se ne.
Mbështetjen në bazë e kishte më të madhe. Kam dëgjuar deputetë të PD-së që kanë thënë unë kam qenë kundër Sali Berishës, kam qenë të përjashtohet, por shumica e PD ishte me Sali Berishën, unë nuk ndërroj dot bindjet e shumicës së demokratëve. A mund të themi ne sot, dy vjet për ta mbyllur këtë sot, a mund ta themi që aksioni i juaj ishte më i dobët dhe nuk e largoi dot Sali Berishën ose nuk u përkrah se kjo do ishte më e ndershme për publikun?
Gazment Bardhi: Kjo është krejtësisht e vërtetë dhe për shkak të këtij realiteti ajo që unë po pohoj është kjo: E nisëm betejën për ta bërë PD dhe opozitën më të fortë. Nga beteja është dobësuar PD dhe opozita, në tërësi. Në kushtet ku jemi do duhet të gjejmë një zgjidhje. E kemi nisur nga kjo tryezë, të bëjmë të paktën funksionale një herë opozitën në parlament. Nuk kam arritur dot ta kuptoj pse zoti Basha dhe një pjesë e vogël e kolegëve nuk janë bashkuar në këtë tryezë. Atje nuk kemi shkuar as rreth një individi, por për të paraqitur idetë tona dhe për ta bërë opozitën funksionale.