Aktualitet
Genc Sejko: Kali ka ngordhur, na duhet një i ri
Nga Genc Sejko
‘Stop flogging a dead horse,’ është një shprehje në anglisht që në shqip përkthehet, ‘Ndalo fshikullimin e një kali të ngordhur’. Shprehja nënkupton që, në momentin që kali ka ngordhur, është e kotë të vazhdosh ta godasësh me shpresën se do eci përpara. Partia Demokratike është sot kali i ngordhur i politikës shqiptare, dhe ka në mesin tonë njerëz që vazhdojnë t’i bien, me besimin e plotë që; kamzhiku do ta ngrejë në këmbë dhe do ta bëjë që të eci përpara.
Ka edhe një grup tjetë që mendon se, kali i ngordhur ka nevojë për një kalorës të ri. Ose më saktë, kalorësin e tij të vjetër. Se kalin e ngordhur di ta drejtojë vetëm ai kalorës. Dhe se në momentin që kali i ngordhur do shohi kalorësin e tij të vjetër do ngrihet në këmbë e se me gjithë fuqinë që sjell vdekja, do vrapojë në drejtim të një triumfi të madh. Tani, ne mund të rrijmë me ditë dhe netë të tëra duke diskutuar se si na ngordhi kali. Ose se kush e vrau kalin. Por për një gjë nuk ka vend për diskutim. Kali ka ngordhur, dhe se me këtë kalë nuk shkojmë dot askund. Nëse nesër do kishim zgjedhje lokale, Partia Demokratike e udhëhequr nga Lulzim Basha që sot gëzon mbështetjen e rreth 20% të elektoratit blu, do humbiste çdo bashki.
Partia Demokratike e udhëhequr nga Sali Berisha, i cili gëzon mbështetjen e rreth 80% të elektoratit blu do humbiste gjithashtu pothuajse çdo bashki. Përjashtim do bënin vetëm disa bashki ku diferenca midis së majtës dhe të djathtës është aq e madhe sa që të mos influencohet nga përçarja e kampit të djathtë. Ndërsa idea se si do dilnin zgjedhjet parlamentare nuk ja vlen as të mendohet. Kush është zgjidhja? Më keni pyetur shpesh. Na duhet një kalë i ri!
Na duhet edhe një kalorës i mirë, por mbi të gjitha na duhet një kalë i ri. Por mjaft me kuaj e me kalorës. Ajo çfarë po them nuk është e re, e as nuk është e imja. Jemi tre vjet e gjashtë muaj larg zgjedhjeve të ardhshme. Kemi kohë mjaftueshëm për organizimin e një lëvizjeje të re politike. Jo domosdoshmerisht të një partie politike, e cila do kishte si qëllim kryesor, rrëzimin e një sistemi që ka kapur çdo qelizë të jetës së qytetarëve shqiptarë.
Që një lëvizje e tillë të ketë sukses në fillim duhet të ngjalli besim. Nëse në ditët në vijim një grup intelektualësh, integriteti i të cilëve nuk është vënë kurrë në diskutim, do mblidheshin bashkë për të formuar një lëvizje të tillë, shumica e shqiptarëve duke më përshirë edhe mua do ta mbështeste me gjithë shpirt. Për këtë jam i sigurt. O ju që keni 30 vjet që bëni opozitë me shpresën se gjërat do bëhen më mirë! Ky është momenti për t’u ngritur e për t’i dal zot vendit. Nëse nuk e bëni këtë, do shkruani edhe për 30 vjet të tjera për të njëjtët hajdutë, për të njëjtët vrasës e për të njëjtat mizori.
Shënim. Ju lutem mos më shkruani për të më kujtuar kundërshtinë time të mëparshme për partitë e reja, të formuara gjashtë muaj para zgjedhjeve nga ish ministra e ish drejtorë të korruptuar. E mbaj mend shumë mirë!