Kosova
“Gënjeshtra për qeveri”/ Lista Serbe shpërthen kundër Kurtit: nuk ka bashkëpunim!

Lista Serbe ka reaguar ashpër ndaj zërave që flasin për një mundësi bashkëpunimi të saj me Lëvizjen Vetëvendosje në procesin e formimit të Qeverisë së re të Kosovës. Në një postim në Facebook, kjo parti ka hedhur poshtë pretendimet për një mbështetje të mundshme nga ana e saj për qeverinë e ardhshme të udhëhequr nga Albin Kurti, duke i cilësuar si “të pavërteta të pastra”.
“Deklaratat e bashkëpunëtorëve më të afërt të Kurtit për gjoja mbështetjen e paralajmëruar nga deputetët e Listës Serbe janë një e pavërtetë e pastër. Jemi absolutisht të sigurt se edhe përfaqësuesit e Vetëvendosjes janë të vetëdijshëm për këtë, por gënjeshtrat që po i shpërndajnë shërbejnë qartësisht për lojërat e tyre të brendshme,” thuhet në reagimin zyrtar.
Lista Serbe, e cila siguroi 9 nga 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb në Kuvendin e Kosovës pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, nuk përmendi emra konkretë, por reagimi erdhi menjëherë pas disa deklaratave publike që kanë ndezur debatet politike.
Një nga këto deklarata u bë nga ministrja e Jashtme në detyrë, Donika Gërvalla, e cila në një intervistë për Teve1 tha se “ka tendenca nga disa deputetë” të Listës Serbe për të votuar pro një qeverie Kurti, me qëllim sipas saj “për ta njollosur atë”.
Ajo gjithashtu iu referua mesazheve të përfolura nga ministri në detyrë i Administrimit të Pushtetit Lokal dhe kryetar i IRDK-së, Elbert Krasniqi, gjatë seancës së dështuar të konstituimit të Kuvendit të martën. Në ato mesazhe, sipas burimeve, përmendeshin disa deputetë të Listës Serbe si të gatshëm për ta mbështetur qeverinë e re.
Ky zhvillim vjen në një moment të ndjeshëm politik në Kosovë, kur formimi i institucioneve të reja pas zgjedhjeve të parakohshme mbetet i bllokuar për shkak të mungesës së konsensusit ndërmjet partive parlamentare. Deri tani, Vetëvendosje, si fituese e zgjedhjeve, ende nuk ka siguruar mbështetjen e nevojshme për të formuar qeverinë.

