Connect with us

Rajon

Gërshërë mbi milionat e Dodik/ Schmidt ndalon financimin për partinë e serbit

Përfaqësuesi i Lartë në Bosnje e Hercegovinë, Christian Schmidt, ka marrë vendim për te pezulluar pagesat nga buxheti në të gjitha nivelet në Bosnje për Aleancën e Socialdemokratëve të Pavarur, e cila udhëhiqet nga Millorad Dodiku, dhe për partinë politike Sërpska e Bashkuar, e cila është partnere në koalicion me partinë e Dodikut në entitetin Republika Sërpska.

Duke folur në Sarajevë, Schmidt tha se pezullimi i financimit vlen për buxhetet në të gjitha nivelet – nga ai shtetëror, i entiteteve deri te ai komunal – duke theksuar se “veprimet kundër Marrëveshjes së Dejtonit kanë pasoja dhe se ai do ta rishqyrtojë vendimin e tij pasi ato të ndalen”.

Schmidt theksoi se me vendimin synon te mbështesë përpjekjet e institucioneve të Bosnjës për t’iu kundërvënë “sulmeve flagrante të koalicionit qeverisës ndaj parimeve themelore të Marrëveshjes së Dejtonit dhe rendit kushtetues-juridik të Bosnjës”.

Përfaqësuesi i lartë i bashkësisë ndërkombëtare në Bosnje ka kompetenca, të cilat janë konfirmuar edhe nga Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në Strasburg, për të imponuar ligje dhe për të shkarkuar zyrtarë.

Ai gjithashtu ka ndryshuar Kodin Penal të Bosnjës dhe ka përcaktuar që vendimet e tij janë të detyrueshme.

Dodik, së bashku me kryetarin e Kuvendit të RS-së dhe liderin e partisë Sërpska e Bashkuar, Nenad Stevandiç, si dhe me kryeministrin e RS-së, Radovan Vishkoviq, dyshohen për sulm ndaj rendit kushtetues, në një hetim që Prokuroria e Bosnjës po e zhvillon që nga fundi i vitit të kaluar.

Në mars u lëshuan fletarrestime qendrore ndaj tyre, pasi ata nuk iu përgjigjën ftesës për t’u marrë në pyetje.

Advertisement