Lifestyle
Gjashtë pyetje që duhet t’i bëni vetes në fund të vitit
Fundi i një viti është gjithmonë një mundësi shumë e mirë për të reflektuar.
Me afrimin e shpejtë të vitit 2023, tani është koha e duhur për të shqyrtuar çfarë shkoi mirë këtë vit, si dhe për të identifikuar fushat ku ka nevojë për përmirësim.
Nëse doni të reflektoni dhe të bëni një plan se si do të ndryshoni në jetën profesionale ose atë personale, mund të filloni duke bërë disa pyetje të zgjuara lidhur me çfarë funksionoi dhe çfarë nuk funksionoi.
Filloni duke pyetur veten se sa të kënaqur jeni në përgjithësi
Filloni vetëreflektimin me një vlerësim të përgjithshëm të asaj që shkoi mirë këtë vit. Michelle Ebbin, trajnere e zhvillimit personal dhe sipërmarrëse, sugjeron t’i bëni vetes pyetjen e mëposhtme:
Nga 1 deri në 10, sa i kënaqur jam me vitin 2022?
“Nëse ia bëni vetes këtë pyetje, mund krijoni një vështrim të përgjithshëm se sa mirë e keni kaluar vitin dhe mund të identifikoni ato situata specifike që ju kanë prekur thellë”, thotë Ebbin për Apartment Therapy. “Le të themi se i jepni vetes notë 4 nga 10.
Pyeteni veten ‘pse’, në mënyrë që të zbuloni arsyet e mundshme të këtij vlerësimi.
A erdhi ai për shkak se ju dështuat në përpjekjet për të realizuar qëllimet tuaja?
A ka pasur mundësi të mira që i keni refuzuar apo vendime të këqija që keni marrë?”
Më pas bëhuni më specifik
Pas vlerësimit të pamjes së përgjithshme, mund të bëni pyetje më të fokusuara që lidhen me pjesë të ndryshme të jetës suaj, shkruan Class. Psikologu klinik Michael Mazius, PhD, rekomandon të bëni pyetjet e mëposhtme:
A gjeta kohë për të tjerët dhe për veten këtë vit?
A punova në mënyrë produktive, duke balancuar në të njëjtën kohë punën me argëtimin?
A isha duke shijuar çastin në pjesën më të madhe të kohës?
Si ndihem për marrëdhëniet e mia me njerëzit e mi të dashur?
A i përballova mirë vështirësitë dhe ndryshimet?
“Këto janë pyetje të mira që të gjithë ne duhet t’i marrim parasysh në fund të vitit,por gjithashtu edhe gjatë gjithë vitit. Dhe më e rëndësishmja, nëse përgjigjja për një ose disa prej këtyre pyetjeve sjell shqetësim ose zhgënjim, në vend që të fajësojmë veten, është e rëndësishme që të mendojmë se ku kemi gabuar dhe si të bëhemi më të mirë me veten tonë në vitin e ardhshëm”, thotë Mazius.
Së fundmi, mos harroni ta trajtoni veten mirë dhe me durim, teksa hyjmë në vitin 2023. “Çështja kryesore është të jeni të sjellshëm me veten ndërsa përpiqeni për t’u vetë-përmirësuar”, thotë Mazius.