Shkrime
GJËMA NË KOÇAN: RA KY MORT E PO SHIHEMI!

Druaj se ka të drejtë një studiues nga Sarajeva i cili në një studim, në kontekst të realitetit të hidhur në Bosnjë e Hercegovinë, e nëvizon edhe këtë: “Të mbledhim guximin dhe të pyesim se çfarë është para nesh, rreth nesh dhe në ne? Nga vjen kjo diktaturë e vulgaritetit, imoralitetit dhe injorancës? Pse kaq urrejtje, dhunë, frikë, poltronizëm dhe mashtrim i pakontrollueshëm? Si u liruan frenat e mikroborgjezisë? Si të ruhemi nga agresioni i gënjeshtrave dhe intrigave, nga terrori fizik, verbal dhe emocional? Ku është fundi i orgjisë së korrupsionit dhe krimit, kalkulimeve të paturpshme politike?”
Sikur ta kishte shkruar edhe për realitetin tonë, këtu në Maqedoninë e Veriut!
Shkruan: Seladin Xhezairi
Gjëmë e madhe kjo e 16 marsit 2025: 59 të vdekur e rreth 200 të lënduar! Qytetarët e të gjitha përkatësive etnike e fetare, në një moment se ky, e dhanë provimin! Mjerisht, njëqind herë mjerisht, kjo nuk mund të thuhet për politikën. Më saktësisht: Nuk mund të thuhet për pushtetin qendror, por edhe për pushtetet e tjera dhe levat e tyre. Që të jem më konkret: Partia më e madhe në vend që para rreth një viti korri fitore absolute në zgjedhjet presidenciale e parlamentare e që si të këtillë askush nuk mund ta kushtëzojë e shantazhojë, për shkak se i ka numrat, në rastin e tragjedisë së Koçanit, ra në provim! Fillimisht, në rolin e kryeprotagonistëve dolën Kryeministri dhe Ministri i Brendshëm. Të parin veprim që bënë ia vunë prangat ish-ministrit të Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, i cili në këtë post ka qenë deri para rreth një viti! Të dytin veprim që bënë Ata të dy dhe eksponentë të organeve ligjzbatuese, ishte shfajësimi i kryetarit të Komunës ku ndodhi tragjedia!
Dhe, kështu u hapën perdet e këtij teatri – absurd, të llojit të vet! Doli që Klubi i kabaresë nuk paska pasur licencë, doli që policia nën uniformë, paska qenë e pranishme në koncertin që përfundoi me epilog tragjik. Veprimet selektive për “kapjen e të dyshuarve”, prandaj shpërfaqin me gjithë vrazhdësinë e vet arrogancën e pushtetit që edhe mund të pinte ujë në ndonjë rast tjetër, por “katundi që duket, kallauz nuk do”, thotë një fjalë shqipe: Përçapja për të bërë kurban Kreshnik Bekteshin dhe ish-zyrtarët e tjerë të qeverisë së kaluar, për tragjedinë e Koçanit, për mungesë veprimesh konform ligjit, rezulton dështuese dhe dëshpëruese, mbi të gjitha! Shi për këtë, fjalët e Kryeministrit se në rastine Koçanit “nuk ka skenarë serbë, të atillë apo të këtillë. Këtu ka një skkenar: ose do ta fitojmë këtë betejë ose të gjithë do të dalim të mundur dhe do të zhbëhet shteti”, këto fjalë pra, të z. Mickoski, për arsyet dhe argumentet e sipërthëna, tingëllojnë m’u sikur ai “topi akustik” që u përdor në demonstratat antiqeveritare të studentëve serbë në Beograd!
Dorën në zemër, nuk dua të vëhem në rolin e avokatit të Kreshnik Bekteshit e ish zyrtarëve të tjerë, sikur hetimet t’i nisnin dhe bitisnin ata të cilët edhe paguhen për këtë, e jo Kryeministri, e jo Ministri i Brendshëm! Duhej të flisnin hetues, prokurorë e gjykatës. Nga vendngjarja, nga pushteti lokal që, për hir të së vërtetës, nuk është se nuk ka ingjerenca, të fillonin e të vepronin në mënyrë zinxhirore. E jo të mundohen ta zbusin zemëratën me ish-ministrin e Ekonomisë, madje duke e filmuar “kapjen” e tij!
Të jetë ky fillim i paralajmëruar i “gjuajtjes së shtrigave” apo i revanshizmit politik? Të jetë ky fillim i asaj që nacionalistë maqedonas e emërtojnë si “gjysma e dytë e lojës”? Nuk jam shumë i sigurt. Ama, druaj se ka të drejtë profesori nga Sarajeva, Gjorgje Vukoviq i cili në një studim, në kontekst të realitetit të hidhur në Bosnjë e Hercegovinë, e nëvizon edhe këtë: “Të mbledhim guximin dhe të pyesim se çfarë është para nesh, rreth nesh dhe në ne? Nga vjen kjo diktaturë e vulgaritetit, imoralitetit dhe injorancës? Pse kaq urrejtje, dhunë, frikë, poltronizëm dhe mashtrim i pakontrollueshëm? Si u liruan frenat e mikroborgjezisë? Si të ruhemi nga agresioni i gënjeshtrave dhe intrigave, nga terrori fizik, verbal dhe emocional? Ku është fundi i orgjisë së korrupsionit dhe krimit, kalkulimeve të paturpshme politike?”
Sikur ta kishte shkruar edhe për realitetin tonë, këtu në Maqedoninë e Veriut, të cilit, fatkeqësisht, duhet shtuar edhe ngathtësinë e partnerit shqiptar në Qeveri, por edhe heshtjen e (pa)kuptushme të opozitës maqedonase!
Sidoqoftë, ra ky mort e po shihemi!

