Connect with us

Politike

Gjeneral zhgënjimi/ Rama frenon Kurtin dhe Kosovën

Nga Mynihu i Gjermanisë gjatë punimeve të Konferencës së Sigurisë, kryeministri Edi Rama u ndal edhe te normalizimi i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Ai, i pyetur në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi, tha se Prishtina zyrtare duhet të bëjë pjesën e saj dhe të lërë BE dhe SHBA të merren me Serbinë.

Sipas Ramës, është shumë e rëndësishme që Kosova të kuptojë se nuk është vetëm, por është me Unionin Europian dhe Amerikën dhe duhet të bëjë pjesën e saj në planin franko- gjerman, pavarësisht nga veprimet që bën Serbia.

Kryeministri u shpreh gjithashtu se Vuçiç gaboi kur shpalli Ditë Zie Kombëtare për të vrarët në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit

“Unë besoj se ka gjëra thelbësore që nuk duhen harruar, sidomos nga ana jonë, pra nga ana e vendeve që kanë bërë zgjedhjen, sepse askush sinqerisht s’na ka detyruar që të vendosim se ku të pozicionohemi. Shqiptarët veçanërisht s’kanë patur shansin të zgjedhin për shekujt të tërë dhe ditën e parë që mundën të bërtisnin atë që donin, thanë “E duam Shqipërinë si gjithë Europën”, ky ishte slogani” – deklaroi Rama.

“Ne kemi zgjedhur, por për mua nuk është kurrë kjo një justifikim për të mos bërë detyrat e shtëpisë, edhe nëse dikush bën gjëra të cilat sigurisht nuk janë aspak pjesë e, apo në kuadër të botës që ne duam, dhe ku duam të jetojmë dhe që natyrisht janë në kundërshti me zgjedhjen tonë. Serbia vërtetë e ka prishur punën jo atë ditë që ndodhi Banjska, por të nesërmen, kur presidenti Vuçiç shpalli ditë zie për ata që kryen sulmin” –potencoi Kryeministri Rama, duke shtuar se Kosova nuk duhet të harrojë objektivin final.

“Kosova nuk po negocion me Serbinë, por me BE-SHBA. Kosova të bëj pjesën e saj të marrëveshjeve dhe të shkojë në Bruksel. Me palën tjetër të merret Perëndimi. Nuk është justifikim për të mos bërë gjëra kur pala tjetër sillet keq”  – potencoi Rama

Kujtojmë se pak ditë më pare, gjatë vizitës së Sekretarit amerikan të shtetit në shqipëri, duke folur për Kosovën, Rama tha se kjo e fundit duhet të konsultohet me aleatët e saj për çdo hap të mundshëm dhe të mos e shohë veprimtarinë e vet si të pavarur nga ndërkombëtarët.

“Veprimet që nuk konsultohen dhe koordinohen mund të sjellin ndonjë votë, por nëse politika e jashtme kthehet në instrument të politikës së brendshme, nuk fitohet e ardhmja” – ka deklaruar kryeministri shqiptar, duke theksuar gjithashtu rolin e rëndësishëm të SHBA-ve në pavarësinë e Kosovës

Advertisement