Kosova
Gjenocidi i Serbisë, ja pedana nga ku do godasë Kurti
Një ditë pasi kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, deklaroi se janë duke u bërë përgatitjet për padi për gjenocid ndaj Serbisë, presidenti serb Aleksandër Vuçiç, tha se Kurti po kërcënon shtetin e tij me padi për gjenocid, meqë sipas tij dëshiron t’i përdorë institucionet e Këshillit të Evropës dhe përmes tyre të ngrejë padi kundër Beogradit.
“Albin Kurti deri tani ka pritur që një shtet tjetër të ngrejë padi për gjenocid ndaj Serbisë, pasi Kosova nuk është vend i njohur ndërkombëtarisht dhe nuk mund të bëjë padi në Gjykatën Ndërkombëtare Penale. Mund ta bëjë dikush në emër të tij, pork jo nuk është e lehtë, është çështje shumë e vështirë politike” – tha Vuçiç para gazetarëve.
Gjithashtu ai ka potencuar se është pjesë e një plani masiv “për presion dhe sulm ndaj popullit serb”.
Në maj të këtij viti bëhen tri vjet prej kur Kurti, publikisht kishte deklaruar se Qeveria e Kosovës ka filluar punën për përgatitjen e padisë kundër Serbisë për gjenocid në Kosovë gjatë periudhës së luftës së fundit, dhe përgatitja, në vlerësimin e Kurtit, po bëhej me hapa “gjigantë”.
Shefi i ekzekutivit, gjithashtu i ka bërë thirrje Prokurorisë së Shtetit që të angazhohet maksimalisht, ditë e natë, “në mënyrë që vrasësit, për të cilët ka dëshmitarë të gjallë, të ndiqen të akuzohen, të dënohen”.
Në prill të vitit 2022, Osmani, kishte potencuar se tashmë një ekip i përbërë nga profesionistë po përgatisin materialet të cilët duhet Kosova t’i ketë persa i përket padisë për gjenocid.