Sport
Gjeorgjia komplikon shumë shanset e Shqipërisë për vendin e parë në grup
Për herë të parë që prej emërimit të Sylvinhos, më 9 janar 2023, kombëtarja shqiptare pësoi një disfatë në ‘Air Albania’. Tre ditë pas fitores me përmbysje kundër Ukrainës kuqezinjtë u mpohtën 0-1 nga Gjeorgjia. Të besuarit e Sanyol ia dolën në Tiranë me golin e Koçorashvilit në minutën e 71, duke konfirmuar edhe njëherë momentin e jashtëzakonshëm që po kalojnë.
Më shumë sesa humbja dhemb që kuqezinjtë nuk bënë asnjë goditje në portën kundërshtare, ndërsa kjo paraqitje shumë poshtë pritshmërive erdhi pas një ndeshje shumë pozitive kundër Ukrainës.
“Përballë kishim një kundërshtarë shumë të vështirë dhe fizikisht lart. Një ditë do vinte edhe humbja e parë në shtëpi edhe pse barazimi do ishte një rezultat më i mirë, por pasi pësuam gol ishte e vështirë për ne. Ndryshuam lojtarë dhe skemë nga ndeshja me Ukrainën pasi disa futbollistë ishin të lodhur,”-u shpreh Sylvinho, trajner i kombëtares.
Në fund të ndeshjes ylli i kombëtares gjeorgjiane Kavaratskhelia e cilësoi Shqipërinë një skuadër të fortë, por shtoi se fitorja ishte shumë e rëndësishme. Pas dy fitoreve në dy ndeshjet e para Gjeorgjia mban vendin e parë në grup, të ndjekur nga Shqipëria dhe Çekia me 3 pikë. Disavantazhi i kombëtares tonë me Gjeorgjinë pas kësaj humbje nuk janë vetëm pikët, por edhe përballja direkte, ndërsa e njëjta gjë vlen edhe për Çekinë.
Kombëtarja shqiptare tani do grumbullohet në muajin tetor, teksa luan dy ndeshje në transfertë për Ligën e Kombeve. Fillimisht me 11 kundër Çekisë dhe me 14 tetor kundër Gjeorgjisë.