Connect with us

Kosova

Gjermanët paralajmërojnë bisedime për planin europian në Konferencën e Sigurisë

Kosova dhe Serbia tashmë kanë thënë atë “po”-në e tyre sa i përket propozimit evropian apo të quajtur edhe si franko-gjerman. Megjithatë ende nuk ka asnjë sinjal për ndonjë takim të nivelit të lartë në Bruksel në mes të kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç për të lëvizur përpara me marrëveshjen meqë tashmë kërkohen lëvizje për implementimin e saj.

Lidhur me hapat e radhës sa i përket propozimit franko-gjerman dhe rreth asaj nëse duhet të ftohet një takim i nivelit të lartë për të ecur përpara, në një përgjigje për Gazetën Express kanë folur nga Qeveria Federale e Gjermanisë. Në një përgjigje me shkrim nga zyra për media e Qeverisë gjermane kanë thënë se duke parë reagimet e fundit lidhur me propozimin franko-gjerman, Berlini zyrtar mezi pret që në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Mynih të bëhen diskutime për ta çuar përpara propozimin franko-gjerman.

“Duke pasur parasysh reagimet e fundit ndaj këtij propozimi, ne presim me padurim diskutimet në margjinat e Konferencës së Sigurisë së Mynihut për ta çuar përpara këtë iniciativë”, ka thënë për Gazetën Express një zëdhënës i Qeverisë së Gjermanisë.

Ky zëdhënës tutje ka thënë se synimi është që të zhvillohen bisedime për zbatimin e shpejtë të marrëveshjes. Në këtë përgjigje për Gazetën Express ky zëdhënës ka thënë se përshkallëzimi në veri të Kosovës gjatë muajve të fundit ka treguar se ”Ekziston nevoja urgjente për ndryshim të dinamikës ndërmjet Serbisë dhe Kosovës”.

Berlini zyrtar shprehet se është e nevojshme vendosja e një baze të re dhe të qëndrueshme në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe se propozimi evropian për një “Marrëveshje Themelore” bazuar në nismën frnako gjermane e ofron një gjë të tillë.

“Nevojitet një bazë e re e qëndrueshme për marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Propozimi evropian për një “Marrëveshje Themelore”, bazuar në një iniciativë franko-gjermane, e ofron këtë bazë”, ka përfunduar ky zëdhënës i Qeverisë Federale të Gjermanisë.

Konferenca e Sigurisë në Mynih nis sot më 17 shkurt dhe do të zgjasë deri më 19 shkurt.

Advertisement