Shkrime
Gjermania bën gati protezat e Vuçiçit/ Përplasja në ringun ballkanik
Përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë pritet që deri më 18 korrik t’u dërgojnë ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian komentet e tyre rreth rrugës së zbatimit të marrëveshjes për normalizmin e marrëdhënieve për të cilën palët ranë dakord vitin e kaluar në Bruksel dhe në Ohër.
Dy takimet e fundit në Bruksel ndërmjet udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë dhe në nivel kryenegociatorësh të të dyja palëve që synonin zhbllokimin e zbatimit të marrëveshjes, përfunduan pa ndonjë rezultat.
Kujtojmë se, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në takimin e fundit paraqiti tri kushte për angazhimin e mëtejmë në procesin e normalizimit të raporteve me Serbinë.
Kushtet e Kurtit ishin formalizimi i Marrëveshjes Bazë përmes nënshkrimit nga krerët përkatës të dyja shteteve, tërheqja e letrës zyrtare të dorëzuar në BE nga ish-kryeministrja serbe, Ana Bërnabiq, më 13 dhjetor 2023, si dhe dorëzimi i Millan Radoiçiqit dhe grupit të tij paramilitar “terrorist” tek autoritetet gjyqësore të Kosovës.
Këto kushte u komentuan shumë, krahas edhe vazhdimësisë së dialogut.
E në lidhje me procesin e dialogut Kosovë-Serbi dhe kushtet e Kurtit, në një prononcim foli deputeti gjerman Knut Abraham.
Së pari, ai përmendi marrëveshjen e Ohrit dhe disa nene të saj, të cilat Serbia pikërisht nuk i ka përfillur.
“Marrëveshja e Ohrit thotë se “Palët do të zgjidhin çdo mosmarrëveshje ndërmjet tyre ekskluzivisht me mjete paqësore dhe do përmbahen nga kërcënimi ose përdorimi i forcës” – se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare” – dhe se “Asnjë palë nuk do të bllokojë, as nuk do të inkurajojë të tjerët të bllokojnë përparimin e palës tjetër”.
Që nga miratimi i marrëveshjes, Serbia ka rrëmbyer tre policë të Kosovës, paraushtarakët serbë duke përfshirë Radoiçiqin kanë sulmuar dhunshëm dhe vrarë një oficer të policisë së Kosovës në Banjskë, dhe Serbia ka lobuar në mënyrë aktive kundër anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës” – deklaroi deputeti gjerman.
Krahas kësaj, ai mbështeti kushtet e vendosura nga ana e Kurtit, si edhe i cilësoi kyçe për rikthimin e besimit në dialog……………
“Pra, është e kuptueshme që kryeministri Kurti dëshiron të vazhdojë dialogun vetëm nëse Serbia vepron me mirëbesim dhe angazhohet plotësisht për atë që është rënë dakord. Tre parakushtet (nënshkrimi i marrëveshjes, tërheqja e letrës së rezervës së Serbisë dhe dorëzimi i Radojicic) të kërkuara nga kryeministri Kurti do të ishin një hap i rëndësishëm për të rikthyer besimin”.
Ndër të tjera, deputet gjerman potencoi se dialogu po bëhet i tepërt, marrë parasysh qasjen e shtetit serb, dhe faktin që Radoiçiq endë është në liri. Madje, tha se ekziston rreziku që Serbia sërish të përdorë dhunë.
“Megjithatë, përderisa Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshjen, dhe në mënyrë aktive shkon kundër saj, dialogu bëhet i tepërt. Dhe përderisa Radoiçiq nuk përballet me drejtësinë dhe autorët e Banjskës gëzojnë imunitet, shqetësimi mbetet se Serbia mund të përdorë përsëri dhunë në vend të dialogut për të arritur qëllimet e saj politike. Do të ishte në interes të të gjitha palëve që të plotësohen këto kushte, nëse qëllimi përfundimtar është normalizimi i marrëdhënieve”.