Connect with us

Shkrime

Gjermania shpall miqësinë e çeliktë me Kosovën, flet emisari Sarrazin

Emisari i Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, në një intervistë, tha se shteti që ai përfaqëson nuk e ka përmendur asnjëherë që themelimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe do të jetë një ndër kushtet për anëtarësimin e mundshëm të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Sarrazin u pyet për qëndrimin e Gjermanisë përsa i përket anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë të rëndësishme ndërkombëtare, posaçërisht mbi sugjerimet e diskutuara javëve të fundit që avancimi drejt Asociacionit i Komunave me Shumicë Serbe do të jetë kusht për Kosovën në prag të vendimmarrjes së ministrave të jashtëm për anëtarësimin e vendit.

“Duhet të rrëfej se s’mund ta ndjek vërtet argumentimin e Serbisë. Së paku për palën gjermane, mund të them se kriteret e përmendura nga Serbia nuk janë publikuar asnjëherë si kriteret tona për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës”, theksoi Sarrazin, teksa shtoi se Kosova – megjithatë – duhet ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.

“Në përgjithësi, situata rreth minoriteteve në Kosovë është shumë relevante”. – tregoi Sarrazin, dhe kujtoi se Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe është obligim i Kosovës që rrjedh nga cikli i marrëveshjeve të arritura në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.

Kosova u mbështet nga shumica dërrmuese e deputetëve në Asamblenë e Parlamentare të Këshillit të Evropës për të kaluar fazën e parafundit drejt anëtarësimit në këtë organizatë të rëndësishme evropiane. Sarrazin potencoi se Gjermania përkrah Kosovën në rrugën drejt Këshillit të Evropës, porse i mbetet Kosovës të bëjë “gjithçka” për t’i bindur shtetet anëtare.

“Ne qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Evropën, që do të thotë edhe anëtarësimin në Këshillin e Evropës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare.

Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Evropës” – potencoi Sarrazin.

Shtetet e QUINT-it – Franca, Gjermania, Italia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara – dëshirojnë të shohin lëvizje reale drejt themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, posaçërisht dërgimin e draft-statutit për këtë mekanizëm për serbët në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës përpara se vendet të bien dakord për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.

Sarrazin, ka komentuar gjithashtu veprimet që Serbia ndërmori për të kundërshtuar anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës dhe tha se ato s’ishin në frymën e Marrëveshjes së Ohrit që u dakordua mes Beogradit dhe Prishtinës vitin e kaluar.

“Ka një zotim të qartë në marrëveshjen e Ohrit: Serbia nuk duhet ta ndalojë Kosovën të hyjë në organizatat ndërkombëtare. S’po shoh që veprimet aktuale të Serbisë janë në përputhje me tekstin apo frymën e marrëveshjes” – ka deklaruar Sarrazin.

Para votimit përfundimtar në Komitet të Ministrave për kërkesën e Kosovës për anëtarësim në Këshill të Europës, emisari tha se Gjermania i qëndron pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën.

“Kemi ndjekur me vëmendje zhvillimet në Asamblenë Parlamentare dh ne, natyrisht, marrim parasysh vendimin e Asamblesë Parlamentare në diskutimet tona. Ne jemi miq dhe përkrahës të fortë të Kosovës dhe qëndrojmë pas idesë për ta afruar Kosovën me Europën, që nënkupton edhe anëtarësimin në Këshillin e Europës. Por vendimi në fund do të jetë i Këshillit të Ministrave dhe është thelbësore që Kosova tani të bëjë gjithçka që mund të bëjë për të bindur një shumicë të gjerë të shteteve anëtare. Sidomos të drejtat e pakicave janë një temë kyçe për Këshillin e Europës” – theksoi emisari Sarrazin.

Përfaqësuesi i posaçëm i qeverisë gjermane për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarazin, tha gjithashtu se rezoluta për Srebrenicën nuk ka problem me Serbinë, Republikën Srpska apo ndonjë shtet, entitet apo grup tjetër, por me krime dhe gjenocid të kryer në Europën Perëndimore.

Ai ka theksuar për portalin Ballkan, se teksti i rezolutës është i drejtuar kundër veprimeve si mohimi dhe glorifikimi i gjenocidit dhe se Rezoluta nuk përmend asnjë vend apo ndonjë grup në veçanti.

“Gjermania bashkë-sponsorizoi këtë rezolutë së bashku me Ruandën dhe një numër vendesh të tjera anëtare të OKB-së. Ne jemi globalisht dhe në çdo kohë të përkushtuar për të parandaluar gjenocidin. Është me rëndësi të madhe për ne ruajtja e kujtimit të tmerreve të Holokaustit. Kjo është arsyeja pse ne jemi gjithashtu të përkushtuar për të mprehur kujtesën e gjenocideve të tjera të njohura ndërkombëtarisht” – deklaroi emisari Sarrazin, duke shtuar se 11 korriku 2025 shënon 30 vjetorin e gjenocidit në Srebrenicë që ndodhi në vitin 1995.

“Ngjarja është vërtetuar historikisht dhe ligjërisht dhe është klasifikuar si gjenocid nga gjykata të pavarura ndërkombëtare dhe autorë me emra të përveçm edhe janë dënuar. Me këtë veprim ne do nderonim të vrarët e pafajshëm” – potencoi Sarrazin

Advertisement