Kosova
Gjermania, violinë e rëndësishme në koncertin që dirigjojnë Lajcak e Borell
Për shkak të sulmit terrorist të ndodhur në Zveçan më 24 shtator, Berlini zyrtar dërgoi në Kosovë emisarin për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin. Lidhur me ngjarjet në veri të vendit dhe vizitën e tij në Prishtinë, ai dha një intervistë për ‘ARD’, duke thënë se sulmi ndaj policisë së Kosovës ka qenë një sulm kriminal dhe terrorist, por se per momentin, prapavija e sulmit mbetet ende e paqartë.
I pyetur për rolin e Rusisë në destabilizimin e Veriut, Sarrazin ka thënë se me siguri ka një ndikim, por se askush nuk e di se sa larg shkon
Emisari gjerman ka shtuar se Putin mund të jetë një justifikim i lehtë për shfajësimin e disa qarqeve në Beograd që ndezin zjarrin dhe më pas bëjnë me gisht drejt Putinit dhe pretendojnë se nuk mund ta kishin ndalur atë.
Përsa i përket vazhdimit të dialogut për normalizim dhe rolin gjerman, Sarrazin ka thënë se rruga drejt zgjidhjes kalon përmes dialogut dhe anëtarësimit në BE.
Ai theksoi se Gjermania mund “të jetë një violinë e rëndësishme, por vetëm si pjesë e koncertit të BE-së ku dirigjentë janë Lajcak e Borell“.
I pyetur nëse pajtohet me deklaratën e Vuçicit se sulmuesit ishin provokuar nga terrori i kryer nga Policia e Kosovës ndaj serbëve, Sarrazin tha se një përshkrim i tillë është i gabuar dhe nuk paraqet pasqyrën e vërtetë të ngjarjeve gjatë fundjavës.
Sarrazin ka thënë gjithashtu se ka qëndrime diametralisht të kundërta mes Kosovës dhe Serbisë persa i përket ngjarjeve në Veri dhe sipas tij kjo paraqet rrezik për konflikte dhe përshkallëzim në të ardhmen.