Sport
Gjimshiti vendos rekordin personal në Serie A, 200 ndeshje tek Atalanta
Një titullar i padiskutueshëm, por edhe mishërimi i një rritjeje konstante, që në fakt është ajo që kërkohet nga çdo futbollist. Berat Gjimshiti festoi fundjavën e shkuar 200 ndeshje tek Atalanta, në Serie A, që pas transferimit të tij në sezonin 2015/2016 dhe pas dy edicionesh të kaluar, si i huazuar.
Një arritje mbreslënëse për kapitenin e kombëtares së Shqipërisë, që nuk do të ndalet këtu, ashtu siç tregon vetë në intervistën për të përditëshmen “L’Eco di Bergamo”.“Ëndrra e çdo futbollisti është të fitojë trofe dhe unë kam ambicie ta realizoj këtë ëndërr si në nivel klubesh, ashtu edhe me Kombëtaren time. Është mirë për mua të mos shënoj në Serie A, të vazhdoj të shënoj në Evropë dhe t’ua lë të tjerëve golat në kampionat”,- shprehet fillimisht kapiteni i Kombëtares sonë.
Jo vetëm me klubin, pasi “steka” e synimeve të Gjimshitit është e lartë edhe me Kombëtaren “Kuqezi”, duke nisur nga finalet e Euro 2024.“Ndiej përgjegjësinë ndaj shokëve dhe të gjithë kombit që na ndjek me ngrohtësi. Të jesh kapiten i një Kombëtareje më ka dhënë besim edhe nga perspektiva e Atalantës”,- u shpreh më tej “shtatlarti” i mbrojtjes.Në këtë sezon tek Atalanta, Berat Gjimshiti ka luajtur 28 ndeshje në të gjithë kompeticionet, ndërsa ka shënuar edhe një gol në fazën e grupeve, të UEFA Europa League.