Connect with us

Kosova

Gjithnjë e më afër vendimeve të vështira

Gjithnjë e më afër vendimeve të vështira

Nuk ka kaluar as një javë nga fillimi i zbatimit të marrëveshjes midis Kosovës dhe Serbisë për shfuqizimin e dokumenteve hyrëse/dalëse dhe nga dy palët ka pritshmëri për përparim të mëtejshëm.

Analistët vlerësojnë se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë po futet në një nivel të ri .

Shtetet e Quint-it – Gjermania, Franca, Britania e Madhe, Italia dhe SHBA-ja – po krijojnë një zë të përbashkët lidhur me këtë proces, thonë nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd. Shenjë për një gjë të tillë, sipas tyre, është vendimi i kancelarit gjerman, Olaf Scholz, dhe i presidentit francez, Emmanuel Macron, për të emëruar këshilltarët e tyre për dialogun.

Emërimi i këshilltarëve nga Gjermania dhe Franca nuk ndodh për herë të parë, por koha kur ndodh duket se ia shton seriozitetin. Mesa duket dy vendet e nuhasin mundësinë që të ecet përpara me një marrëveshje gjithëpërfshirëse.

Diplomatët në Perëndim thonë se lufta e Rusisë në Ukrainë, ka krijuar një momentum të ri për sigurinë evropiane, por edhe për qëndrueshmërinë në Ballkanin Perëndimor, ku disa vende kanë ende çështje të hapura.

Kur kancelari gjerman Scholz dhe presidenti francez Macron njoftuan më 4 shtator për emërimin e këshilltarëve të tyre, ata i dërguan një letër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç, duke iu bërë thirrje që të tregojnë gatishmëri për të marrë vendime të vështira, të cilat, do të sillnin përparim në dialog. Po se çfarë mund të përfshijnë këto vendime, nuk u elaborua. Se cilat do të jenë “vendimet e vështira” të palëve që t’i normalizojnë marrëdhëniet, mbetet të shihet. Kosova e ka bërë të qartë se marrëveshja gjithëpërfshirëse duhet të përfshijë njohjen reciproke me Serbinë, të cilën gjë Serbia, tani për tani, thotë se nuk do ta bëjë.

Advertisement