Politike
Gjyqet e Metës dhe Veliajt/ Lala paralajmëron: Kanë rrugëtim të gjatë me drejtësinë

Gazetarja Klodiana Lala komentoi çështjet e drejtësisë që përfshijnë politikanët Ilir Meta dhe Erion Veliaj, duke theksuar se të dy kanë një rrugëtim të gjatë me drejtësinë për të kaluar.
Ajo vlerësoi se çështja “Babale” është një dosje që nuk është hetuar siç duhet. Lala gjithashtu tha se burgosja e Veliajt ka bërë të paqartë se çfarë do ndodhë në Bashkinë Tiranë, nëse do ketë zgjedhje të reja.
Ajo theksoi se Ilir Meta dhe Kryemadhi kanë pasur një përplasje të panevojshme dhe se Meta ka një rrugë të gjatë përpara në gjykim. Gazetarja Lala u shpreh se çdo politikan që përballet me drejtësinë ka një rrugë të vështirë, por nëse ata janë të pafajshëm, mund të fitojnë gjyqin.
Klodiana Lala: Për çështjen ‘Salianji’, mendoj se çështja “Babale” është e pahetuar, është dosje e qepur keq për interesa politike. Një histori që duhej hetuar për trafik droge dhe patjetër edhe roli i Salianjit, por do ishte fundori në këtë çështje. Salianjit i takonte liria me kusht, sepse sjellja e tij ishte korrekte, madje i vonuar. Beteja e Salianjit besoj se nis tani.
Sa i përket çështjes së Veliajt, nuk kam parë që ai të ketë zbutje të masës. Kjo, sepse Gjykata e Lartë nuk ka zbutur masë sigurie të asnjë politikani. Tani i hyjmë diskutimit se a do kemi zgjedhje në Tiranë apo jo, se çfarë do ndodhë me menaxhimin e Bashkisë më të madhe në vend. Veliaj do e ketë rrugëtimin e tij të gjatë me drejtësinë. Unë mendoj që edhe Gjykata Kushtetuese nuk do ketë dritë në fund të tunelit për Veliajn, se pak a shumë të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe për politikanë të tjerë. Duhet të shohim sesa do provohen akuzat për Veliajn dhe a do kemi zgjedhje për Bashkinë e Tiranës, është pyetje që vetëm kryeministri mund t’i japë përgjigje. Veliaj s’ka dhënë sinjale se do japë dorëheqjen.
Sa i përket gjyqit të zotit Ilir Meta, kam parë që vijon përplasja e tij me zonjën Kryemadhi. Është debat pa arsye, ata kanë qenë çifti më i njohur në politikën shqiptare e nuk kanë pse debatojnë çështje banale. Z Meta duhet ta bëjë betejën e tij me drejtësinë. Nuk i kam hyrë diskutimit nëse janë prova apo jo, ato që SPAK pretendon. Besoj se do jetë edhe për z Meta një rrugë e gjatë. Meta pretendon pafajësi, prokurorët pretendojnë se kanë prova, ne gazetarët duhet të raportojmë në mënyrë të pavarur. Z Meta është marrë tashmë i pandehur dhe besoj se do jetë më afër kohës së gjykimit sesa Veliaj, nëse dosja do shkojë në gjykim. Rruga e z Veliaj është më e gjatë.
Çdo politikan që përballet me drejtësinë është rrugë e vështirë me shumë kthesa. Nëse politikani nuk ka kryer veprat penale, mund të fitojë dhe pafajësinë, ndonjë prej tyre dhe mund të marrë pafajësinë, sikundër pretendon. Ne si gazetarë kemi misionin përballë opinionit që të ballafaqojmë faktet dhe publiku gjykon e vendos.

