Sport
Gjysmëfinalet e basketbollit/ SHBA nuk zhgënjen, mund Brazilin dhe afrohet me të artën
Yjet e NBA hedhin një tjetër hap të sigurt drejt medaljes së artë në Lojrat Olimpike “Paris 2024”, duke kualifikuar Shetetet e Bashkuara të Amerikës në gjysmëfinalet e turneut të basketbollit për meshkuj.
LeBron Xhejms dhe shokët e tij konfirmuan edhe një herë se janë favoritë absolutë, duke mundur Brazilin me rezultatin 122-87.
Amerikanët nisën dominimin që në periodën e parë, ndërsa më pas kontrolluan lojën dërisa në minutat e fundit rritën sërish ritmin për ta bërë më të ekzagjeruar fitoren e tyre me 35 pikë diferencë.
Në gjysmëfinalet e Olimpiadës, skuadra e Shteteve të Bashkuara do të përballet me Serbinë, të cilën e mundi gjatë fazës së grupeve.
Të udhëhequr nga Nikola Jokiç, serbët siguruan kualifikimin pas fitores dramatike kundër Australisë.
Rezultati 95-90 u vendos vetëm pas një kohe shtesë, ndërsa australianët shpërdoruan një epërsi domethënëse në pjesën e parë të sfidës.
Ndryshe nga Jokiç, ylli tjetër ballkanas i NBA, Janis Antentokoumpo nuk arriti të ndihmojë Greqinë, e cila u eliminua në çerekfinale pas humbjes 76-63 kundër Gjermanisë.
Basketbollisti i Miluokit ishte shënuesi më i mirë I sfidës me 22 pikë, por kaq nuk mjaftuan.
Dy kolegët e tij të NBA, Vagner dhe Shroder udhëhoqën Gjermaninë drejt gjysmëfinales ku do të përballen në një “klasike europiane” kundër Francës.
Kjo e fundit siguroi kualifikimin pasi kaloi Kanadanë me nëntë pikë diferencë në rezultatin e përgjithshëm 82-73.
Sfida mes dy yjeve të rinj të NBA, Xhilxhous-Aleksander dhe Uembanijama, u fitua nga ky I fundit, ndërsa Franca ëndërron të fitojë medaljen e artë olimpike të basketbollit në shtëpinë e saj.