Kosova
GLORIFIKOHEN ARMIQTE/ Haradinaj flet për distancim: Lista Serbe duhet të…

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka theksuar në një intervistë për Ekonomia Online të mërkurën se arsyeja e moscertifikimit të Listës Serbe për zgjedhjet e shkurtit është mosrespektimi i Kushtetutës së Kosovës, krahas glorifikimit të figurave armiqësore të shtetit dhe përfshirjes në sulme terroriste.
“Nuk mund të lejojmë që individë që mbështesin terrorizmin dhe qëndrimet anti-Kosovë të marrin pjesë në proceset zgjedhore […] Në një shtet tjetër nuk mundesh të marrësh pjesë në zgjedhje duke i lavdëruar armiqtë e atij shteti”, ka deklaruar ai.
Kreu i AAK-së ka potencuar se është për përfshirjen e të gjithë qytetarëve të Kosovës në procesin zgjedhor, përfshirë komunitetin serb, por gjithmonë në përputhje me kushtetutën dhe ligjet e vendit. Në këtë kontekst, ai ka shtuar se nëse një subjekt politik dëshiron të marrë pjesë në zgjedhje, duhet të distancohet nga thirrjet anti-Kosovë.
Disa prej arsyeve për moscertifikimin e forcës kryesore politike të serbëve janë vlerësuar thirrjet nacionaliste të kryetarit të saj, Zllatan Ellek, gjatë prezantimit të listës së kandidatëve për zgjedhjet e shkurtit, krahas mirëmbajtjes së kontakteve me terroristin serb, Millan Radoiçiç, i cili kërkohet nga organet e drejtësisë në Kosovë.
Ndryshe, ndaj vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë reaguar edhe ndërkombëtarët, të cilët kanë shprehur drojë dhe keqardhje për moscertifikimin e Listës Serbe. Gjithashtu, njohës të çështjeve politike e juridike në vend kanë vlerësuar se moscertifikimi i kësaj partie është pjesë e parafushatës zgjedhore të partisë në pushtet.

