Politike
Godet ashpër ish-ministri i Drejtësisë: Qeveritë e masin suksesin me mënyrën si i vrasin njerëzit
Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani ka folur për skandalin tek Onkologjiku duke e drejtuat gishtin e akuzës tek qeveria.
Manjani shkruan se qeveritë e masin suksesin e tyre me mënyrën se si i vrasin njerëzit.
Sipas Manjanit ato qeveri që i vrasin me shëndetësi jetojnë më gjatë, madje votohen më shumë në shenjë respekti për mënyrën “e butë” të vrasjes.
Ndërsa qeveritë që vrasin me zhurmë për politikë sipas Manjanit nuk pëlqehen, nuk votohen, urrehen, madje për ato bëhen edhe filma.
“Vdekatarët që kanë mbetur në këtë vend, i ftoj të mendojnë se: Ka dallim ndërmjet vrasjes së njerëzve në protestë politike nga vrasja e tyre për mungesë ilaçesh, nga ilaçet e skaduara ose shërbimi shëndetësor ç’njerzor.
Këta të fundit janë padyshim më shumë në numër. Vriten ngadalë e çdo ditë, ashtu pa zhurmë. Të vrarët nga shëndetësia e keqe dhe shumë e keqe mund të jenë edhe jo protestues…
Të vrarët nga shëndetësia duhet të paguajnë për vdekjen. Të vrarët për politikë vriten falas.
Qeveritë e masin suksesin e tyre me mënyrën se si i vrasin njerëzit. Ato qeveri që i vrasin me shëndetësi jetojnë më gjatë. Madje votohen më shumë në shenjë respekti për mënyrën “e butë” të vrasjes.
Natyrisht qeveritë që vrasin me zhurmë për politikë nuk pëlqehen, nuk votohen… Urrehen. Madje për ato bëhen edhe filma.
Ky është dallimi në të cilin jetojmë të gjithë në luftë me vdekjen dhe, në kërkim të rrugës më pa zhurmë… Herët a vonë do i ndodhë secilit prej nesh… Qoftë pa dhimbje të paktën!”, shkruan Manjani.