Connect with us

Bota

Goditet ndërtesa e delegacionit të BE, Kos: Kjo shenjë tregon që Moska nuk do paqe

Sulmet masive ruse që shënjestruan sot kryeqytetin ukrainas, Kiev, kanë prekur edhe zyrat e delegacionit të BE-së në Ukrainë. Lidhur me sulmin ka raguar Komisionerja e BE-së për Zgjerimin, Marta Kos, e cila tha se sulmet janë një shenjë e qartë që Rusia refuzon paqen.

“Delegacioni i BE-së në Kiev është dëmtuar nga sulmet e sotme ruse në zonat civile. I dënoj fuqimisht këto sulme brutale, një shenjë e qartë se Rusia refuzon paqen dhe zgjedh terrorin. Solidariteti ynë i plotë shkon për stafin e BE-së, familjet e tyre dhe të gjithë ukrainasit që po vuajnë nga ky agresion.”, ka shkruar Kos krahas fotove të ndërtesës së dëmtuar.

Rusia nisi një sulm ajror në shkallë të gjerë në qytetet ukrainase vonë më 27 gusht, duke sulmuar Kievin me raketa dhe duke synuar rajone larg vijave të frontit.

Të paktën 12 persona u vranë në sulmin në kryeqytet, përfshirë tre të mitur të moshës 2, 14 dhe 17 vjeç, njoftuan autoritetet.

Dyzet e tetë persona janë plagosur dhe të paktën 30 prej tyre janë shtruar në spital, thanë autoritetet e Kievit. Midis të plagosurve ka edhe disa fëmijë.

Sirenat e sulmeve ajrore u dëgjuan në të gjithë Ukrainën dhe banorët e pothuajse çdo rajoni u nxitën të kërkonin strehim ndërsa Rusia lëshoi ​​raketa hipersonike dhe valë të shumta dronësh gjatë gjithë natës. Të paktën katër avionë MiG-31 – të armatosur me raketa Kinzhal – u ngritën gjatë sulmit.

Advertisement