Bota
Goditje e rëndë strategjike/ S’ka marrëveshje me Sirinë, Putini nuk siguron bazat ushtarake
E ardhmja e pranisë ushtarake të Rusisë në Siri mbetet e pasigurt, pasi Moska nuk arriti të sigurojë marrëveshje të reja për bazat e saj kryesore në vend – bazën ajrore të Hmeimimit dhe atë detare në Tartus.
Pas vizitës së presidentit sirian Ahmed al-Shaar në Moskë, ministri i Jashtëm sirian, Asaad al-Shibani, njoftoi se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara gjatë periudhës së Bashar al-Assad janë “pezulluar dhe janë në rishikim”.
Sipas al-Shiban’it, qeveria në Damask synon të ndërtojë marrëdhënie me Rusinë “në interes të popullit sirian”, duke theksuar se kjo nuk do të përfshijë asnjë lëshim që cenon sovranitetin kombëtar.
Çështja e ish-presidentit Bashar al-Assad – i cili u arratis në Rusi pas rrëzimit të tij në dhjetor 2024 – raportohet se është ngritur gjithashtu gjatë bisedimeve.
Deklarata ka ngritur dyshime mbi të ardhmen afatgjatë të pranisë ushtarake ruse në rajon.
Pavarësisht përpjekjeve të Moskës për ta paraqitur vizitën si sukses, mungesa e një marrëveshjeje konkrete lë në pikëpyetje pozicionet e saj në Siri.
Për Kremlinin, humbja e aksesit të garantuar në Hmeimim dhe Tartus do të përbënte një goditje të rëndë strategjike, jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe në Mesdhe, ku këto baza kanë shërbyer si pika kyçe për operacionet ruse që nga viti 2015.