Kosova
Grenell e quan Kurtin fashist/ Në SHBA pajtohen se ai është problemi
Ish-Emisari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Richard Grenell, akuzoi Gjermaninë se është rreshtuar “në anën e kundërt të historisë”, duke mbështetur një “fashist”, siç e cilësoi ai kryeministrin Albin Kurti, posaçërisht rreth zhvillimeve në procesin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Grenell, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, pretendoi se dy forcat kryesore politike në SHBA – Demokratët dhe Republikanët – rrallë gjejnë gjuhë të përbashkët, sidomos përsa i përket politikës së jashtme, por pajtohen se problemi i ngërçit është pikërisht kreu i ekzekutivit kosovar, i cili, sipas diplomatit amerikan, ka nxitur dhunë në pjesën veriore.
“Gjermanët janë në anën e gabuar të historisë, duke përqafuar fashistin Kurti. Çdo shtet në botë e ka dënuar Kurtin për nxitje të dhunës – përveç Gjermanisë. Në SHBA, Republikanët dhe Demokratët rrallë pajtohen… por ata janë të një mendje, se Kurti është problemi” – Ka shkruar Grenell, pas vizitës së Sekretares Parlamentare në Ministrinë e Mbrojtjes së Gjermanisë në Kosovë.
Madje, diplomati amerikan pretendoi se gabimet e kryeministrit kosovar në procesin e dialogut për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi nën kujdesin e Bashkimit Evropian, mundësuan që presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, të fitojë bindshëm në zgjedhjet parlamentare, lokale dhe krahinore të Serbisë të mbajtura më 17 dhjetor.
Ish-përfaqësuesi i ish-presidentit amerikan, Donald Trump, ndonëse pa mandat dhe pa ndonjë pozitë të rëndësishme në administratën shtetërore, prej kohësh është angazhuar në një fushatë kundër kryeministrit Kurti, veçanërisht në raport me çështjet që kanë të bëjnë me procesin e dialogut dhe situatën në veriun e vendit të banuar me shumicë serbe.