Kosova
Grenell flet kot/ Gërvalla: Nuk është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare është kundër Kurtit

Ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gervalla, ka thënë se nuk është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare është kundër kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti
Lidhur me deklaratën e të dërguarit të SHBA-së për misionet speciale jashtë vendit, Richard Grenell, Gervala tha se është shumë naive të besohet se Amerika do të heqë dorë nga siguria e Kosovës apo se do të rrezikojë prosperitetin e Kosovës.
“Nuk është e vërtetë që bashkësia ndërkombëtare është kundër Albin Kurtit, sepse kjo do të thotë se të gjithë partnerët me të cilët flas, ose po ma fshehin të vërtetën, ose po thonë diçka tjetër. Përkundrazi, kjo qeveri e ka luftuar korrupsionin që në fillimet e saj sepse ka një konsensus për këtë luftë dhe respektohet ligji, prandaj shumica e partnerëve tanë janë shumë të kënaqur. Shtetet e Bashkuara janë partneri më i rëndësishëm i Kosovës. SHBA-ja është ajo që na ka mbështetur jo vetëm gjatë luftës, por edhe pas luftës, kështu që është shumë naive të besohet se Amerika do të heqë dorë nga siguria e vendit tone” – theksoi Gervalla.
Kujtojme se Richard Grenell tha se bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar kundër kryeministrit të Kosovës Albin Kurti.
Sipas tij, retorika që përdor Kurti, duke pretenduar se është afër SHBA-së dhe se qeveria e tij është më e mirë se të gjitha qeveritë e tjera në Kosovë, është absolutisht e rreme.

