Kosova
Grenellit s’i pëlqen prezenca e Kurtit në Konventën e Demokratëve: Përkrahja për Harrisin, dëmton popullin e Kosovës
Richard Grenell, diplomati kontravers që ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA) për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë gjatë mandatit të parë të presidentit amerikan, Donald Trump, ka kritikuar pjesëmarrjen e kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, në Konventën Kombëtare të Partisë Demokratike në Çikago të SHBA-së.
Grenell, nëpërmjet një postimi në platformën “X”, ka përmendur pasoja për popullin e Kosovës, posaçërisht persa i përket mbështetjes së hapur të kreut të ekzekutivit kosovar për nënpresidenten aktuale amerikane, Kamala Harris, njëherësh e nominuar nga radhët e demokratëve në garën presidenciale të nëntorit kundër republikanëve të ish-presidentit Trump.
“Që lideri i Kosovës të zgjedhë hapur demokratët është një lëvizje e pamatur nga ana e Albin Kurtit. Përveç ndërhyrjes në zgjedhjet amerikane, mbështetja e tij për Harrisin në Konventën e Demokratëve dëmton popullin e Kosovës” – ka shkruar Grenell, emri i të cilit është përfolur si kandidat i mundshëm për Sekretar të Shtetit nëse Partia Republikane fiton zgjedhjet.
Kurse kryeministri Kurti, në një intervistë për platformën “Semafor”, kujtojme se duke folur rreth perspektivës së një ripërsëritjeje të presidencës amerikanen nën drejtimin e Trumpit, deklaroi se potenciali i një skenari “Trump 2.0” u shkakton “stres dhe ankth” liderëve evropianë, kryesisht për shkak të prirjes së ish-presidentit drejt qëndrimeve ekstreme.
Kurse në një intervistë për “Zërin e Amerikës” të hënën, në prag të nisjes së Konventës Kombëtare të Partisë Demokratike, kreu i ekzekutivit kosovar e cilësoi “kandidat të pazakonshëm” ish-presidentin Trump: “Natyrisht kjo nuk e ndryshon faktin që unë si kryetar subjekti politik dhe si kryeministër i Republikës së Kosovës, mbetem demokrat, mbetem socialdemokrat”.