Connect with us

Aktualitet

Greqia nderon Anastas Janullatos! Kremtohet Liturgjia Hyjnore në Mitropolinë e Athinës

Ditën e sotme në Mitropolinë e Athinës po kremtohet Liturgjia Hyjnore para trupit të Kryepeshkopit Anastas Janullatos, i cili u nda nga jeta një ditë më parë ( e shtunë 25 janar). I pranishëm do të jetë edhe kryeministri grek, Kyriakos Mitsotakis dhe presidenti i PASOK, Nikos Androulakis.

Liturgjinë Hyjnore do ta kryesojë nënkryetari i Sinodit të Shenjtë, Mitropoliti i Nafpaktos dhe i Shën Vlasit, Jerotheosi. Pas përfundimit të saj, Kryepeshkopi i Athinës dhe i gjithë Greqisë, Jeronimos, do të mbajë një shërbesë për shpirtin e të ndjerit.

Me vendim të Sinodit të Shenjtë të Kishës së Shqipërisë, e cila mbajti një mbledhje të jashtëzakonshme mëngjesin e së shtunës, Mitropoliti i Korçës, Joani, u zgjodh Mbikëqyrës i Fronit të Kryepeshkopit. Sinodi i Shenjtë shpalli gjithashtu pesë ditë zie kishtare nga 25 deri më 29 janar.

Trupi i ndjerë i Kryepeshkopit do të qëndrojë në Katedralen e Shenjtë të Athinës, ku do të vendoset për nderime publike deri në orët e mëngjesit të së hënës, kur do të dërgohet në Shqipëri. Në njoftimin e Kishës u bë me dije se pritja e trupit të Kryepeshkopit do të bëhet para Katedrales “Ngjallja e Krishtit” Tiranë, të martën, datë 28 janar, ora 16:00.  Pas pritjes, homazhet do të mbahen brenda Katedrales gjatë kësaj pasditeje dhe gjatë gjithë ditës së nesërme, të mërkurën, datë 29 janar 2025.  Ndërkohë njoftohet gjithashtu se varrimi do të kryhet ditën e enjte, datë 30 janar, ora 11:00, pas Liturgjisë Hyjnore.

Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe Gjithë Shqipërisë, Anastas u nda nga jeta në moshën 95-vjeçare më 25  janar 2025 në spitalin ‘Ungjëllizimi’ në Athinë ku ishte i shtruar prej 3 janarit. Janullatos lindi më 4 nëntor të vitit 1929, në Pire të Greqisë dhe prej vitit 1992 ai ishte Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale të Shqipërisë. Ndërsa më 22 dhjetor të vitit 2017, atij iu dha shtetësia shqiptare nga ish-presidenti Ilir Meta. Janullatos njihet si një person i lidhur me rilindjen e besimit Orthodoks, pasi praktikimi i fesë ishte i ndaluar me ligj prej viteve 1967-1991

Advertisement