Bota
Haga kërkon ndalimin e Netanyahut/ Gjermaina shpreh hezitim për zbatimin e urdhër-arrestit
Zëdhënësi i qeverisë gjermane Steffen Hebestreit tha sot se vendi i tij do të hezitonte të arrestonte kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu bazuar në një urdhër arresti të lëshuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare.
Urdhër-arrestet e lëshuara dje për Netanyahun dhe ish-ministrin izraelit të Mbrojtjes Yoav Galant e vendosën Gjermaninë, një mbështetëse e fortë e Izraelit, në një pozitë të vështirë.
Hebestreit tha sot se Gjermania është një nga mbështetësit më të mëdhenj të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, por në të njëjtën kohë ka marrëdhënie unike dhe përgjegjësi të madhe me Izraelin dhe se kjo është pasojë e historisë gjermane.
Në konferencën për shtyp, Hebestreit u pyet vazhdimisht nëse do të ishte e mundur të arrestohej kryeministri i Izraelit në Gjermani, sipas Associated Press.
“Është e vështirë për mua të imagjinoj se ne do të bënim një arrestim në Gjermani mbi këtë bazë,” tha Hebestreit.
Dje, Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arresti për Netanyahun, Galantin dhe udhëheqësin ushtarak të Hamasit, Muhamed Deif, të cilët akuzohen për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit të kryera nga 8 tetori 2023 deri më 20 maj të këtij viti.
Netanyahu dhe Galant janë udhëheqësit e parë të një vendi demokratik, një aleat i Perëndimit, të akuzuar para Gjykatës Ndërkombëtare Penale që nga viti 2002, kur ajo u themelua.
Disa vende, duke përfshirë Britaninë e Madhe, Irlandën dhe Slloveninë, kanë njoftuar ose lënë të kuptohet se do të ishin gati të arrestonin Netanyahun nëse ai gjendet në territorin e tyre.
Hungaria e kundërshtoi urdhër-arrestin dhe e ftoi Netanyahun për ta vizituar, dhe SHBA tha se “refuzon kategorikisht” urdhër-arrestet për zyrtarët e lartë izraelitë, duke thënë se Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk ka një autoritet të tillë.