Kronike
Hajduti i biçikletave: Jam baba, më duheshin para për drogë
Historitë e përdoruesve që përfundojnë në polici si hajdutë apo autorë ngjarjesh të tilla si dhuna, janë kthyer në më klasiket në komisariate. Gazetasi.al ka raportuar shpesh për trendin shqetësues të të rinjve të varur nga lëndët narkotike. Por nuk ka asnjë shifër zyrtare se sa është numri i përdoruesve, pavarësisht se një vit më parë gjatë një monitorimi ndaj krimeve në Tiranë, Qendra Fol konstatoi një shifër të lartë prej 5 deri në 6 të rinjsh që konstatoheshin mesatarisht nga policia si posedues dozash hashashi dhe më pas kokaine dhe heroine.
Një 30 vjeçar me inicialet E.K ishte i arrestuari i radhës nga policia e Tiranës i cili u kap në flagrancë duke vjedhur. Dhe ai e kishte gati mbrojtjen, megjithëse varësia nga droga nuk ia lehtësoi aspak pozitën. I dyshuari si hajdut e barazoi varësinë po aq të keqe sa kushtet ekstreme të varfërisë ku ka ngecur familja e tij.
“Jam baba i dy fëmijëve dhe jetoj në kushte shumë të vështira ekonomike. Jam përdorues heroine dhe jam i papunë. E siguroj jetesën me çfarë të kem mundësi. Me raste mbledh gjëra të ndryshme të cilat i shes për skrap”,ka nisur rrëfimin në komisariat i riu kryeqytetas.
Por çështja që i hapi atij probleme ishte vjedhja e një biçiklete, të cilën mbasi e zgjidhi tentoi të largohej me të. Por ai u rrëzua pak metra larg vendngjarjes dhe kjo u shfrytëzua nga pronari i biçikletës i cili e arriti dhe e kapi në flagrancë. Policia shkruan në procesverbalë se hajduti i biçikletës u kap në afërsi të shkollës Pjetër Budi. Dëshmitari që pyetet prej policisë është shtetasi I.D.
“Në parkimin privat një person mashkull u afrua pranë biçikletës e cila ishte lidhur në brendësi me një kavo. Ai e këputi kavon, hipi mbi biçikletë dhe pesë metra më poshtë u rrëzua. Kjo biçikletë ishte në pronësi të shtetasit A.S. Unë e kapa hajdutin së bashku me rojen e parkingut dhe gjatë kësaj kohe njoftuam policinë për çfarë kishte ndodhur” thotë dëshmitari sipas burimeve të Gazetasi.al.
Pronari i biçikletës këmbëngul për policinë se e kishte blerë në shumën prej 30 mijë lekë dhe se e ruante nga hajdutët. Por përdoruesi i heroinës thotë se kjo nuk ishte biçikleta e parë që ai vodhi.
“Biçikletat i çoja tek shtetasi A.T dhe i shisja edhe pse ai e dinte që nuk ishin të miat. Rastet fiks nuk i mbaj mend. Përveç meje, biçikleta vjedhin edhe dy vëllezërit F dhe E.B që si unë ja shesin shtetasit nga Përmeti. Ditën që isha pranë shkollës Pjetër Budi dhe pashë biçikletën e mora se më duheshin doemos para për drogë. E këputa kavon me zor dhe hipa në biçikletë për t’u larguar por pak metra më tej më ndaloi një burrë dhe më pas më shoqëruan në komisariat” mbrohet përdoruesi.
Marrë nga GazetaSi