Aktualitet
Hakeroi lehtësisht e-mailet e tre prokurorëve të SPAK/ Habit autori: E bëra për kuriozitet

Arnold Rrokaj ka zbuluar se ka hakeruar sistemin e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për “kuriozitet”. Në dëshminë që ai ka dhënë para grupit hetimor, mësohet se ka thënë: E bëra nga kurioziteti! Sipas “TopChannel”, Arnold Rrokaj ka pranuar se ia ka dalë mbanë që të futet në email-et e tre prokurorëve të SPAK, Behar Dibra, Enkeleida Millonai dhe Elida Kaçkini, duke zbuluar se ka kopjuar komunikime për 3 çështje të ndryshme.
Po sipas Rrokajt, këto informacione ia ka dërguar Zambak Gjonit, i cili gjithashtu është vendosur në pranga.
Për rastin, në pranga janë vendosur Zambak Gjoni është një ish-zyrtar i Drejtorisë së Burgjeve, ndërsa Arnold Rrokaj ka punuar në Inspektoriatin e Mbrojtjes së Mjedisit.
Të dy janë arrestuar sapo SPAK ka mësuar për ndërhyrjen në emailet e disa prokurorëve. Sipas SPAK, Gjoni dhe Rrokaj kanë tentuar që të hakerojnë edhe emailin e kreut të institucionit, Altin Dumanit, por nuk ia kanë dalë. Po ashtu, SPAK-u njoftoi se sistemi i përgjithshëm i IT-së nuk është cënuar dhe dosjet hetimore nuk janë prekur. Por janë marrë disa informacione që më pas i janë shpërndarë palëve të treta.
Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuara thotë se ndërhyrja ka ndodhur më 12 mars. Sipas SPAK, dosjet kanë mbetur të pacënuar. Përveç hetimit penal për Gjonin dhe Rrokajn, SPAK ka nisur një hetim të brendshëm administrativ për të verifikuar sigurinë e sistemit të IT-së të institucionit.

