Connect with us

Bota

Hakmarrja nuk vonon/ Besnikët e Bashar Al Assad vrasin 14 persona, autoritetet siriane vendosin shtetrrethim

Autoritetet e reja të udhëhequra nga rebelët e Sirisë kanë njoftuar se 14 punonjës të Ministrisë së Brendshme janë vrarë dhe 10 të tjerë janë plagosur në një sulm të bërë nga forcat besnike të ish-Presidentit Bashar al-Assad, në perëndim të vendit.

Raportet tregojnë se forcat e sigurisë u zunë në pritë, teksa u përpoqën të arrestonin një ish-oficer lidhur me rolin e tij në burgun famëkeq Saydnaya, në afërsi të kryeqytetit Damask.

Po ashtu, një vëzhgues sirian për të Drejtat e Njeriut deklaroi se tre militantë u vranë gjithashtu në përleshje, ndërsa shtoi se më vonë forcat e sigurisë sollën përforcime.

Në një zhvillim të veçantë, autoritetet siriane vendosën një shtetrrethim brenda natës në qytetin qendror të Homsit, njoftuan mediat shtetërore.

Pak më shumë se dy javë më parë, Presidenca e Asadit ra në duart e forcave rebele të udhëhequra nga fraksioni islamik Hayat Tahrir al-Sharm.

Ofensiva e rrufeshme e udhëhequr nga HTS që filloi nga verilindja e Sirisë dhe u përhap në të gjithë vendin i dha fund sundimit më shumë se 50-vjeçar të familjes Assad.

Që prej atëherë, ish-Presidenti Assad u detyrua të linte vendin së bashku me familjen e tij për t’iu drejtuar Rusisë.

Advertisement