Bota
‘Hamasi duhet të dorëzohet’/ Franca bën thirrje: Grupi palestinez përgjegjës për kaosin humanitar
Ministri i Jashtëm francez, Jean-Noel Barrot, deklaroi se Hamasi duhet të pranojë dorëzimin, duke theksuar se grupi palestinez “ka humbur” dhe mban përgjegjësi për katastrofën humanitare që po përjeton populli palestinez në Gaza.
Në një intervistë për agjencinë e lajmeve AFP, Barrot tha se Hamasi duhet të pranojë fundin e rezistencës së armatosur dhe të hapë rrugën për një zgjidhje paqësore. Deklarata e tij vjen në kohën kur Hamasi po shqyrton një plan 20-pikësh të propozuar nga SHBA për të ardhmen e Gazës.
Sipas këtij plani, Hamasi nuk do të ketë rol në qeverisjen e ardhshme të territorit, i cili do t’i nënshtrohet një procesi të “demilitarizimit”. Parashikohet gjithashtu amnisti për anëtarët e Hamasit që angazhohen për paqe dhe dorëzojnë armët, ndërsa atyre që dëshirojnë të largohen nga Gaza do t’u ofrohet një dalje e sigurt drejt vendeve të treta.
“Hamasi mban një përgjegjësi shumë të rëndë për katastrofën që përjetuan palestinezët,” tha Barrot. “Ka humbur. Duhet të pranojë dorëzimin e vet.”