Aktualitet
Hapet Unaza e Madhe e Tiranës, të pranishëm Rama dhe Balluku
Unaza e Madhe e Tiranës është hapur në gjithë gjatësinë e saj për lëvizjen e mjeteve, e cila pritet të çlirojë kryeqytetin nga trafiku i rënduar.
Të pranishëm në inaugurimin e hapjes së kësaj vepre infrastrukturore ishin Kryeministri Edi Rama si dhe Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë Belinda Balluku.
“Është e gjitha e aksesueshme. Pjesa e unazës veriore ka qenë një nga pjesët më të vështira të kësaj vepre duke pasur parasysh që kemi pasur një zonë informale të banueshme dhe na është dashur që të spostojmë mbi 654 ndërtesa. Tahsmë është plotësisht e përfunduar dhe kemi disa detaje të vogla që mbaron brenda Janarit. Keni parasysh që janë të gjitha të aksesueshme nga pika të ndryshme të autostradës. Këtu ndodhemi në Lotin 1 që është Loti më i komplikuar. Kjo është një nyje që do të zhvillohet. I gjithë mobilimi është mobilim urban, pra ndriçimi, pjesët mbikalimet të cilat janë të pajisura edhe me zona të gjelbrat edhe me stola. Duke filluar nga sot të gjitha tunelet bëhen funksionale,” u shpreh Balluku.
Mëngjesin e sotëm kryeministri Edi Rama ka shpërndarë pamjet nga përgatitjet e fundit që po bëhen në këtë vepër të madhe infrastrukturore që pritet të lehtësojë ndjeshëm trafikun në kryeqytet.
Unaza e Madhe e Tiranës ka një gjatësi totale 28.7 kilometra teksa shpejtësia e projektuar e lëvizjes është 90 km në orë.
Përveç zgjidhjes së problemit të trafikut, ajo do të shkurtojë distancat. Gjithashtu ndërtimi i kësaj vepre ka ndikuar në mënyrë të ndjeshme në zhvillimin urban të zonave që ndodhen përgjatë aksit.
Unaza e Madhe e Tiranës lidh kryeqytetin me të gjitha rrugët dalëse kombëtare. Kjo vepër infrastrukturore i jep më shumë akses në lëvizje edhe zonave periferike të kryeqytetit.
Ndërkohë Unaza e Madhe krahas korsive të shpejtësisë së automjeteve, ka pjesë të projektit edhe elementët urbanë, si ndriçim dhe gjelbërim, duke qenë se kalon përmes zonave të banuara. Për këmbësorët do të ketë gjithashtu hapësira të dedikuara.