Connect with us

Politike

Hapja e kutive për Tiranën dhe Dibrën! KQZ: Na duhen 10 ditë kohë për të nisur rinumërimi i votave

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nevojë për 10 ditë kohë për të përgatitur infrastrukturën dhe stafin e nevojshëm para se të nisë rinumërimin e 1282 kutive të votimit të qarkut Tiranë pas miratimit të kërkesës së Partisë Demokratike një ditë më parë.

Janë 450 mijë fletë votimi që do të numërohen nga fillimi dhe vendi ku do të realizohet ky proces nuk është vendosur por duket se ambientet më të përshtatshme janë ato të parkut olimpik ‘Feti Borova’ ku u realizua numërimi i votave të diasporës. Për rinumërimin po negociohet sërish edhe me federatat sportive për të marrë sërish në përdorim Parkun Olimpik ku u numërua vota e diasporës.

KQZ-së i duhet të bëjë gati pjesën teknike, energjinë elektrike, tavolina, karriget, monitorët, kamerat, internetin dhe rrjetet kompiuterike që do të rivendosen aty për të ofruar transparencë për të gjithë. Po ashtu, një grup i posaçëm do të punojë për të veçuar në magazinë kutitë e Tiranës, dhe për t’i sjellë për rinumërim sipas një rendi të caktuar e të sigurtë. Të gjitha këto përgatitje, do të kërkojnë të paktën 10 ditë kohë.

Partia Demokratike shpreson të gjejë vota për të marrë një mandat të 14-të, duke ia hequr Mundësisë së Agron Shehajt. Ilir Alimehmeti nga ana tjetër, dyshon se votat ia kanë vjedhur e ai ka marrë më shumë vota se Jorida Tabaku që aktualisht ka fituar një mandat me 2400 vota avantazh.

Ndryshe nga Tirana, në Dibër PD do të rinumërojë vetëm votat e kandidatëve të saj për shkak të pretendimeve të kandidatit Xhemal Gjunkshi se ka pasur parregullsi.

Rinumërimi i 44 kutive të Dibrës do të zhvillohet të mërkurën dhe do të kryhet në ambientet e komisionit qendror të zgjedhjeve.

PD kishte kërkuar pavlefshmërinë e rezultatit dhe organizimin e një rivotimi, duke argumentuar se procesi kishte parregullsi të cilat ndikuan në përfundimin e zgjedhjeve. Në përfundim të shqyrtimit, KAS vendosi rrëzimin e kërkesës së PD-së, duke e argumentuar vendimin me mungesën e provave të nevojshme për të ndryshuar rezultatin.

Advertisement