Kosova
‘Hapja e urës së Ibrit, mund të çojë në incidente të rënda nëse bëhet pa koordinim’
“Hapja e pakoordinuar e urës së Ibrit mund të çojë në incidente dhe të komplikojë më tej procesin e normalizimit”.
Kështu ka thënë Emisari Special i Bashkimit Evropian (BE) për dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak edhe pse ka potencuar se është “pro hapjes së urës”.
Por, diplomati sllovak ka theksuar se çdo vendim në lidhje me urën duhet së pari të diskutohet në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.
Emisari Lajçak, ka thënë gjithashtu se nuk ka asnjë arsyeje për të mos ecur përpara me themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në Kosovë, meqë sipas tij, draft-statuti i propozuar nga BE-ja e respekton rendin juridik të Kosovës.
“Jam i bindur se draft-statuti evropian respekton plotësisht rendin juridik të Kosovës. Ne kemi pasur parasysh sa më shumë vijat e kuqe të të dyja palëve. Është një mënyrë evropiane për të trajtuar çështjen e ndjeshme të të drejtave dhe mbrojtjes së pakicave dhe pasqyron praktikat më të mira evropiane”, potencoi Lajcak
Ai gjithashtu është shprehur i bindur që Asociacioni do të themelohet, meqë sipas tij, Qeveria nuk mund t’i shmanget përgjithmonë përmbushjes së këtij detyrimi te marrë nga Kosova në vitin 2013 dhe se kjo dakordancë është ratifikuar edhe nga Kuvendi i Kosovës me shumicë të votave.
Për Lajçakun, pa neglizhuar obligimet tjera në kuadër të dialogut, çështja e Asociacionit është më e madhe se një obligim ‘i thjeshtë’ nga dialogu.