Kosova
Haradinaj kërkon shtyrjen e zgjedhjeve në veri
Kryetari i subjektit opozitar, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se institucionet e Kosovës duhet të marrin vendim që të shtyjnë zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat në veri të Kosovës.
Gjatë një fjalimi në Kuvendin e Kosovës, Haradinaj tha se gjendja në veri të Kosovës nuk garanton që zgjedhjet e parapara për 23 prill të sjellin sukses.
“Unë i bëj thirrje Qeverisë, presidentes, institucioneve të vendit që ta marrin me seriozitet gjendjen në veri dhe ta marrin një vendim për këtë situatë. Cili do të duhej të ishte ai vendim, unë besoj shumë [se do të duhej të ishte] shtyrja e zgjedhjeve”, tha Haradinaj.
Më 23 prill pritet të mbahen zgjedhje të jashtëzakonshme për kryetar të komunave të Mitrovicës së Veriut, Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit si dhe zgjedhje të parakohshme për dy kuvendet komunale, në Zveçan dhe Leposaviq.
Vendimi për zgjedhjet është marrë pasi kryetarët e këtyre komunave, bashkë me serbë të tjerë, më 5 nëntor të vitit të kaluar dhanë dorëheqje, në shenjë kundërshtimi ndaj vendimit të Qeverisë së Kosovës për të nisur procesin për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe.
“E dini se zgjedhjet e shpallura herën e parë, nuk arritëm t’i mbajmë. Dhe po ashtu e dini se procesi për të mbajtur zgjedhje tash në veri, nuk është i qëndrueshëm”, tha Haradinaj, duke iu referuar shtyrjes së zgjedhjeve në veri, që paraprakisht ishin paraparë të mbaheshin në dhjetorin e kaluar.
Haradinaj tha se është më mirë që Kosova të pranojë “çerek humbje sot, një gjysmë humbje nesër” sesa një “humbje të plotë në ditën e zgjedhjeve”.