Shkrime
Hero i grekëve, kriminel i shqiptarëve, kush është Alfred Beleri?!
Kur përmend së fundmi marrëdhëniet Shqipëri Greqi, emri i parë që vjen në mendje është Alfred Beleri, e jo ndonjë lider politik i të dy vendeve. Kjo për shkak se një vit më parë, kryetari i zgjedhur i bashkisë së Himarës, Alfred Beleri humbi lirinë, i kapur në flagrancë duke blerë vota.
Ky të paktën është versioni i Policisë që deri më tani ka marrë edhe aprovimin nga shkalla e parë e Gjykatës së Posaçme Kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Por Alfred Beleri në vetvete është një emër i njohur prej shumë kohësh në skenën politike shqiptare. Emri i tij është lakuar që në vitin 1994 kur një grup terrorist i veshur me uniforma ushtarake greke të organizatës së quajtur MAVI sulmoi postën kufitare të Peshkëpisë duke vrarë dy ushtarakë shqiptarë.
Pikërisht si pjesë e këtij grupi është akuzuar Alfred Beleri, vërtetësia e të cilit nuk është provuar drejtpërdrejtë, por indirekt. Terroristët e Masakrës së Peshkëpisë grabitën armatimet e ushtarakëve shqiptarë, të cilat iu gjetën pak muaj më vonë Alfred Belerit dhe që u dënua me 18 muaj heqje lirie për armëmbajtje pa leje në Greqi.
Kalimi i viteve zbehu praninë e tij aktive në media, sidomos pas thirrjeve nacionaliste greke për urrejtje ndaj shqiptarëve. Për këtë akt të vitit 2006 ai është dënuar nga Gjykata e Vlorës, por sërish nuk bëri asnjë ditë burg pasi u konvertua me kusht.
Teksa opozita bojkotonte zgjedhjet e vitit 2019, Alfred Beleri bëri llogaritet e tij për të garuar në vendoret e 30 qershorit të atij viti për Bashkinë e Himarës. Por planet nuk i dolën pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve e skualifikoi si kandidat për shkak të ndalesave që i rridhnin nga ligji i dekriminalizimit. Por kjo nuk e zbehu ambicien e tij për të garuar në një proces elektoral ku katër vite më vonë, ai ishte emri që do të sfidonte socialistët për bashkinë e Himarës pasi edhe vitet e ndalesës të dekriminalizimit ishin plotësuar.
Dalja e tij si kandidat erdhi pas marrëveshjes së Vangjel Dules dhe Rithemelimin e Sali Berishës, ku bashkitë me komunitet minoritar grek, do t’i përfaqësonte PBDNJ-ja dhe Himara do të bëhej arena e konfliktit politik në zgjedhje, aq sa vetë Edi Rama i kushtoi një pjesë të gjatë të fjalimeve Alfred Belerin.
Rastësia desh që fjalët e Ramës të përkonin me aksionin e policisë për arrestimin e Belerit, dhe ky veprim i uniformave blu, ka tensionuar jo pak marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve e cila reflektohet në dy dimensione. E para është bllokada ndaj procesit integrues, ku Greqia, tashmë prej një viti ka vendosur veton pa u shqetësuar as nga kritikat e shumta që i kanë ardhur nga vendet e tjera anëtare.
Dimensioni i dytë është angazhimi i politikanëve grek, që nga ata të Athinës deri te ata në Bruksel të cilët nuk kanë nguruar të futen në qelitë e paraburgimit për të mbështetur Belerin, dhe vënë në dyshim drejtësinë shqiptare. Madje, bindja e qeverisë greke në pafajësinë e Belerit arriti deri aty sa e kandidonte për zgjedhjet parlamentare europiane.
Tashmë fati i Belerit vijon të jetë aty ku ishte përpara 12 muajve, në dyert e drejtësisë, e cila së fundmi caktoi edhe trupin gjykues të apelit që do të shqyrtojë ankimin e shkallës së parë qëe dënoi me 2 vite për korrupsion në zgjedhje. Por një gjë duket se është e sigurt, korrupsioni zgjedhor në Shqipëri e gradoi atë në krye të politikës greke.