Pinknews
‘Heshta për 42 vite’/ Trondit Laert Vasili: U përdhunova nga komshiu…

Me zërin që i dridhej dhe me shpirtin të zhveshur nga çdo maskë, Laert Vasili preku zemrat e publikut mbrëmjen e së dielës në “Big Brother VIP Albania”.
Aktori i njohur, me një karrierë të pasur në teatër dhe kinematografi, ndau një prej rrëfimeve më të ndjera dhe tronditëse që janë dëgjuar ndonjëherë në këtë format.
“Jeta është një rrugëtim i mundimshëm drejt vetes”, – tha ai në fillim të linjës së jetës, duke i hapur udhë një historie të dhimbshme, por edhe frymëzuese. Laerti tregoi se në moshën vetëm nëntë vjeç ishte abuzuar nga një fqinj, një traumë që e kishte mbajtur të fshehur për më shumë se katër dekada. “Nuk tregoja se kërcënohesha se do të dhunohesha. E kam mbajtur këtë për vete për 42 vite”, – tha ai, ndërsa lotët i rridhnin pa ndalë.
Përveç kësaj plage të thellë, aktori foli edhe për një tjetër betejë të tij personale: varësinë nga alkooli, që e kishte ndjekur për vite me radhë. “Nuk kam qenë një djalë i mirë. Uroj që im atë të më falë. Nuk e bëra dot gjysh. Nëna ka qenë forca ime kur babai ndërroi jetë”, rrëfeu ai me përulësi dhe dhembje.
Për Laertin, ikja nga Tirana në Sarandë ishte një dritë në fund të tunelit. “Isha shumë i lumtur. Po ikja nga Tirana, nga kujtimet që më përndiqnin”.
Në mes të rrëfimit, aktori shprehu vlerësimin e thellë për Tinka Kurtin, duke e quajtur atë idhullin e tij. Më tej, ai reagoi me dhimbje ndaj lajmit të ndarjes nga jeta të aktores së madhe Margarita Xhepa, duke theksuar se shoqëria duhet të tregojë më shumë respekt dhe kujdes për figurat që i kanë dhënë shpirtin këtij kombi. “Ne jemi të numëruar. Ja, na iku Margarita. I kemi dhënë shumë këtij vendi. Duhet të ishim sjellë më mirë me ta”, – u shpreh ai me zërin që iu drodh na emocioni.
Në fund të kësaj nate të mbushur me ndjenja, Laerti u surprizua nga kolegu dhe miku i tij, aktori Helidon Fino, i cili i dha kurajë dhe e përqafoi virtualisht, duke e përgëzuar për guximin dhe sinqeritetin.

